Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike, duke shprehur zhgënjimin e tij të thellë me mënyrën se si po funksionon koalicioni VLEN në qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social Facebook, Taravari nuk kurseu kritikat ndaj drejtuesve të VLEN-it, duke e konsideruar situatën si një nga më të rëndat për shqiptarët në dekadat e fundit.
“Dështimi i VLEN-it është i dhimbshëm për mua. Ata nuk janë armiqtë e mi, përkundrazi, shumica janë miq e shokë që po bëhen kurban nga egoizmi patetik i dy-tre vetave!”, shkruan Taravari, duke lënë të kuptohet se vendimet kryesore po merren nga një rreth i ngushtë, në kurriz të interesit të gjerë shqiptar.
Ai shkon edhe më tej, duke e cilësuar gjendjen aktuale të shqiptarëve në qeverinë e re si më të rëndën ndonjëherë:
“Asnjëherë ne shqiptarët nuk kemi qenë kaq keq sa në drejtimin e kësaj qeverie!”, thekson ai, përcjell PressOnline.al
Kjo deklaratë e Taravarit vjen në një kohë kur në opinionin publik është shtuar zhgënjimi për mënyrën se si përfaqësohet interesi shqiptar në institucionet shtetërore, pas formimit të qeverisë të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e saj.



