Messi u largua nga fusha pa paralajmërim, Scaloni: Nuk duhej të dilte, më pas ma shpjegoi arsyen

featured

Argjentina barazoi mbrëmë 1:1 me Kolumbinë në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026, e zhvilluar në stadiumin “Monumental” mes përballjeve të ashpra të lojtarëve në fushën e blertë.

Në konferencë për shtyp pas ndeshjes foli selektori i “Albiceleste”, Lionel Scaloni, i cili e shpjegoi edhe arsyen se përse Lionel Messi doli nga fusha e blertë pa paralajmërim në minutën e 78-të të lojës, shkruan “Gazeta Express”.

“Në parim, nuk do të duhej të largohej nga fusha, por kur e ka parë se po i bënim dy zëvendësime, më tha se do të ishte më mirë që të dilte dhe pastaj e zëvendësova. Në të kundërtën, nuk do të dilte. Ju e dini tashmë se si funksionon kjo dhe se çka mendoj unë”, e shpjegoi Scaloni arsyen se përse e hoqi nga loja tetë herë fituesin e Topit të Artë për ta ruajtur nga lëndimet.

Sidoqoftë, Messi dhe Scaloni kanë raporte të mira pasi në të kaluarën kishin luajtur bashkë për Argjentinën dhe më pas e arritën bashkërisht suksesin historik në Katar duke e fituar Kupën e Botës në vitin 2022.

Pas lojës, futbollisti i Inter Miamit u pa duke ndërruar llafe me yllin kolumbian, James Rodriguez, nga i cili kërkoi sqarim se përse kishte thënë se Argjentinën e kishin favorizuar referët në finalen e Copa America 2024, të fituar pikërisht kundër Kolumbisë.

Messi u largua nga fusha pa paralajmërim, Scaloni: Nuk duhej të dilte, më pas ma shpjegoi arsyen
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.