Rumer Willis, vajza e aktorëve të njohur Bruce Willis dhe Demi Moore, ka ngritur akuza të forta ndaj ish-partnerit të saj Derek Richard Thomas, teksa dyshja janë përfshirë në një betejë ligjore për kujdestarinë e vajzës së tyre 3-vjeçare.
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara nga “People”, aktorja 37-vjeçare pretendon se Thomas ka ushtruar “abuzim të vazhdueshëm dhe të rëndë emocional” ndaj saj, edhe para ndarjes së tyre në vitin 2024.
Në deklaratën e saj me betim, Rumer Willis thotë se incidentet ndodhnin shpesh “para fëmijës së mitur ose kur ata ishin të bllokuar në makinë me të”.
Ajo e akuzon ish-partnerin për “kontroll shtrëngues përmes sulmeve verbale”, duke pretenduar se debatet dhe shpërthimet zgjasnin “deri në gjashtë orë në ditë”.
Në mbështetje të vajzës së saj ka dalë edhe Demi Moore, e cila deklaron se ka qenë dëshmitare e “sjelljes agresive” të Thomas gjatë lindjes në shtëpi të mbesës së saj. Sipas aktores, ai “shkatërroi një nga momentet më të lumtura të jetës së saj”.
Rumer pretendon gjithashtu se sjellja “e paparashikueshme dhe e çuditshme” e Thomas u përkeqësua pas lindjes së vajzës së tyre në prill të vitit 2023.
Unë përpiqesha vazhdimisht të isha e qetë dhe të ecja në një litar të tendosur. Ai donte të më izolonte nga miqtë dhe familja ime. Ai vazhdimisht më quante gënjeshtare pa asnjë arsye. Ai më tha se isha një partnere e keqe
-thuhet në deklaratën e saj.
Aktorja pretendon po ashtu se Thomas kishte “sjellje paranojake” dhe besonte se ajo dhe Demi Moore po “planifikonin” t’ia largonin vajzën.
Sipas saj, sjellja e tij ka ndikuar edhe tek fëmija, duke shtuar se vajza e tyre është “traumatizuar” dhe shpesh “qante” gjatë situatave konfliktuale. Për këtë arsye, Willis kërkon që ish-partnerit të mos i lejohet të kalojë net me vajzën ose të qëndrojë vetëm me të pa një vlerësim të posaçëm nga gjykata.
Ajo ka shprehur gjithashtu shqetësim për praninë e të fejuarës së Thomas, Lizzie Locke, gjatë kontakteve me vajzën, duke përmendur një “histori konfliktesh para fëmijës”.
Nga ana tjetër, Derek Richard Thomas i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat. Ai pretendon se marrëdhënia e tyre ishte “toksike, por jo e dhunshme ose abuzive” dhe këmbëngul se ndarja ishte një “vendim i ndërsjellë”.
Thomas mohon gjithashtu akuzat për abuzim me substanca, duke deklaruar se nuk përdor më marihuanë dhe se kjo nuk ka ndikuar kurrë në rolin e tij si baba.
Edhe avokati i tij ka hedhur poshtë pretendimet, duke deklaruar se provat do të paraqiten në gjykatë dhe duke e përshkruar klientin e tij si “një baba të përkushtuar dhe të dashur”.
Rumer Willis konfirmoi ndarjen nga Thomas në gusht të vitit 2024. Ish-çifti ishte në një lidhje që prej vitit 2022 dhe mirëpritën vajzën e tyre, Louetta Isley Thomas Willis, më 18 prill 2023.




