Shakira ka bërë një rrëfim të ndjerë për ndarjen nga Gerard Pique, duke e cilësuar atë si një nga periudhat më të vështira dhe më të dhimbshme që ka përjetuar ndonjëherë.
Këngëtarja kolumbiane foli hapur për fundin e marrëdhënies me ish-futbollistin spanjoll, duke pranuar se shpërbërja e familjes së saj ishte një goditje e rëndë emocionale.
Sipas artistes, ndarja i shkatërroi ëndrrën për të mbajtur të bashkuar familjen që kishte ndërtuar ndër vite me Pique.
Si të mos mjaftonte kjo, ajo tregoi se e gjithë kjo periudhë përkoi edhe me problemet shëndetësore të babait të saj, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për t’u përballuar.
Megjithatë, Shakira tha se sfidat e jetës e kanë ndihmuar të zbulojë një forcë që nuk e dinte se e kishte.
Artistja theksoi se sot ndihet më e fortë, më e pjekur dhe më e vetëdijshme për aftësinë e njerëzve për t’u ringritur edhe pas momenteve më të errëta.
Shakira dhe Gerard Pique i dhanë fund lidhjes së tyre në vitin 2022, pas më shumë se dhjetë vitesh së bashku. Nga marrëdhënia e tyre kanë dy djem, Milan dhe Sasha.
Pas ndarjes, ish-futbollisti vazhdoi jetën me një partnere të re, ndërsa Shakira ka zgjedhur të fokusohet te familja dhe karriera muzikore.
Fëmijët e mi janë prioriteti im dhe jam më e dashuruar se kurrë me karrierën time
-u shpreh këngëtarja.
Ajo shtoi se aktualisht nuk ka hapësirë për një romancë të re në jetën e saj, pasi po shijon kohën me fëmijët dhe po i përkushtohet plotësisht projekteve profesionale.
Pavarësisht dhimbjes që shoqëroi ndarjen, Shakira theksoi se do të ruajë gjithmonë respekt dhe mirënjohje për Gerard Pique, si babain e fëmijëve të saj dhe për rolin që ka pasur në rrugëtimin e saj si nënë.




