Berisha me kryesinë e PD në Bruksel: Më 11 maj u asgjësua gara elektorale

featured

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një takim me kryesinë e degës së PD-së, në Bruksel.

Gjatë takimit Berisha u shpreh se në 11 maj nuk u bënë zgjedhje, por farsë elektorale. Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh në fjalën e tij se, qeveria asgjësoi garën elektorale duke krijuar një “makineri gjigande të blerjes së votës dhe të frikësimit të qytetarëve”.

“Kjo makineri ka ardhur gjithnjë duke u bërë më e fuqishme, më e madhe. Kjo makineri gjigante është shteti i blerjes së votës. Në ç’mënyrë? Në këtë fushatë, u dha të gjithë pensionistëve 100 euro dhuratë. E ndaluar me ligj. Ti nuk mund të përdorësh fuqinë ekzekutive për të marrë vota. Fali 2 ditë para zgjedhjeve mbi 200 milionë gjoba dhe interesa. Prokuroi gjatë zgjedhjeve mbi 500 milionë euro, të gjitha të ndaluara me ligj. Punësoi gjatë zgjedhjeve mbi 10 mijë vetë në qeverinë vendore dhe qendrore”, tha Berisha.

Të gjitha këto, sipas Berishës, u bënë për të blerë vota.

“Përdori pushtetin ekzekutiv për legalizime, leje ndërtimi dhe certifikata pronësie në mijëra e mijëra raste, pa kufizime. Të gjitha këto asgjësojnë garën elektorale. Se, në situatë të tillë, ti në fushë ke një gjigant që disponon miliarda, që disponon një logjistikë të pafundme, që disponon një personel të pafundëm, me një parti që ka një financim pak milionë, ose edhe më pak. Të gjitha këto, i bën për të blerë votën në gjitha këto mënyra”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “në Shqipëri, ka një makineri tjetër që, është makineria e frikësimit të qytetarëve”.

Berisha me kryesinë e PD në Bruksel: Më 11 maj u asgjësua gara elektorale
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.