Milani po kalon një revolucion të vërtetë në prag të sezonit të ri, pas shkarkimit të trajnerit Massimiliano Allegri dhe largimit të drejtuesve Tare, Furlani dhe Moncada.
Vendimi i firmosur nga presidenti Cardinale ka hapur rrugën për një rindërtim total të klubit kuqezi, ndërsa në qendër të projektit duket se është vendosur Zlatan Ibrahimovic, i cili aktualisht konsiderohet figura më me ndikim në klub.
Menjëherë pas largimit të Allegrit kanë nisur spekulimet për trajnerin e ri të Milanit. Sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit kuqezi kanë kontaktuar agjentët e trajnerit Andoni Iraola, i cili zhvilloi një sezon shumë pozitiv me Bournemouth, duke siguruar një kualifikim historik për në Europa League.
Iraola kërkohet gjithashtu nga Bayer Leverkusen dhe Crystal Palace, por Milani duket se ka bërë lëvizjen e parë konkrete.
Në listën e kandidatëve për pankinën kuqezi përmenden edhe: Marco Silva aktualisht te Fulham, Xavi, ish-trajneri i Barcelonës, Thiago Motta dhe Vincenzo Italiano, me këtë të fundit që duket më pranë Napolit.
Megjithatë, emri që po fiton gjithnjë e më shumë terren është ai i Mark van Bommel. Holandezi vlerësohet shumë nga Ibrahimovic dhe konsiderohet si favoriti personal i suedezit për të marrë drejtimin e skuadrës.




