Sot janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.
Për këtë ka njoftuar ministri për Punë, Familje dhe Vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti.
“Është ekzekutuar mbështetja e njëhershme për kategoritë e pensioneve me 100 euro”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Më herët para këtij njoftimi Ministria ka njoftuar edhe për ndarjen e 100 eurove edhe për fëmijët.
Qeveria në detyrë më 22 maj e ka miratuar pakon për përballje me inflacionin, vendim që ka nxitur reagime shkaku që në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, pensionistëve, fëmijëve, studentëve e të punësuarve në sektorin jopublik do t’u ndahen nga 100 euro. Eksponentë të partisë në pushtet akuzuan opozitën se bllokoi pakon e plotë muajin e shkuar, ndërsa opozita e interpretoi vendimin si mjet për blerje vote.
Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0, e miratuar nga kabineti qeveritar, përmban katër masa: Mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale; Mbështetje të njëhershme për të gjithë fëmijët, që janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë; Për të gjithë të punësuarit, të deklaruar në muajin prill, me të ardhura mujore më pak se 1000 euro, që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, ku përfshihen sektori privat, shoqëria civile, por edhe ndërmarrjet publike dhe organizatat e tjera, si dhe; Për të gjithë studentët aktivë dhe të rregullt në vitin akademik 2025/2026 në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.




