“Vendimi i liderit të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravarit për të dalë nga Qeveria është i drejtë, edhe nëse shihet nga prizmi i koherencës politike dhe përfaqësimit të denjë të elektoratit shqiptar”, thotë për PressOnline.al, gazetari dhe analisti politik Driton Zenku, duke komentuar vendimin e ASH-së për largim nga Qeveria.
“Taravari e arsyetoi largimin me disa pika kyçe siç ishte mosvotimi i ndryshimeve kushtetuese – që ishte një ndër pritjet themelore nga partnerët ndërkombëtarë dhe një kusht për procesin euro-integrues. Ai konstatoi ngecjen e qartë në këtë drejtim, gjë që e bën të qëndrueshme politikisht pozicionin e tij. Margjinalizimi i shqiptarëve në qeverisje – përmendja e heqjes së balanserit, shtyrja e ligjit për të dhe degradimi i shqiptarëve në administratë janë sinjale të mjaftueshme për të ngritur alarmin për mosbarazi strukturore dhe politike, ishte një arsyetim tjetër, sikurse punësimet selektive në favor të maqedonasve dhe ngecja e decentralizimit. Taravari thotë se shqiptarët ishin “të pafuqishëm përballë kërkesave të elektoratit”. Në aspektin pragmatik, dalja nga qeveria i jep atij mundësinë të rikthehet si zë kritik, të ruajë integritetin politik dhe të ndërtojë besueshmëri në opinionin publik, duke u pozicionuar qartë si përfaqësues i interesave shqiptare”, analizon Zenku për PressOnline.al
Sipas tij, nëse do të qëndronte në qeveri, rrezikonte të perceptohej si bashkëpërgjegjës për një qeverisje që po dështon në disa fusha kyçe si euro-integrime, barazi etnike dhe zhvillim institucional.
“Nga ana tjetër, një rrezik që mbart ky vendim është izolimi i partisë së tij nga vendimmarrja ekzekutive dhe mundësia për ndikim të drejtpërdrejtë. Megjithatë, në kushte kur ai vetë pranon se nuk kishte më as ndikim real, as përfaqësim substancial, atëherë largimi është më shumë akt realizmi sesa i një konfrontimi emocional. Vendimi i Taravarit është politikisht i drejtë dhe strategjikisht i arsyeshëm në këtë fazë. Ai i jep atij hapësirë për të riformatuar veten si opozitar konstruktiv dhe për të ruajtur kredibilitetin para qytetarëve që ndihen të përjashtuar nga pushteti”, nënvizoi ai.
Përkrahja e elektoratit, shprehet bashkëbiseduesi ynë, ndaj vendimit të Arben Taravarit për t’u larguar nga Qeveria varet nga disa faktorë, por në përgjithësi, ka gjasa që ai të marrë mbështetje të konsiderueshme, veçanërisht nga ata qytetarë shqiptarë që ndihen të zhgënjyer nga qeverisja aktuale dhe nga mungesa e përfaqësimit të barabartë.
“Përse mund ta përkrahin qytetarët? Sepse vendimi është në linjë me pritshmëritë e elektoratit të tij – shumë shqiptarë janë të pakënaqur me mënyrën si trajtohen në administratë, në procesin e decentralizimit dhe në politikat e punësimit. Sepse po përforcohet perceptimi se shqiptarët janë “ornament” në qeveri – dhe vendimi i Taravarit shihet si një refuzim i këtij roli formal. Sepse transparenca dhe denoncimi publik i padrejtësive u prit pozitivisht – ai nuk u largua në heshtje, por publikisht artikuloi shkaqet, çka e pozicionon si politikan që nuk pranon të jetë bashkëfajtor. Kush mund mos ta përkrahë? Ata që besojnë se duhej të qëndronte brenda për të ndikuar nga brenda, sado e vështirë të ishte kjo. Ata që e shohin largimin si veprim të vonuar, pasi shumë nga padrejtësitë ishin të njohura edhe më herët”, thotë Zenku.
Nëse Taravari, shton ai, arrin ta kanalizojë vendimin në një agjendë aktive opozitare, me qasje përfaqësuese dhe të vendosur për reforma, atëherë popullata do ta përkrahë fuqimisht.
“Ky është momenti kur ai duhet të dëshmojë se largimi nuk ishte për qëllime taktike, por për përgjegjësi ndaj qytetarëve”, potencon ai.(PressOnline.al)




