Industria e teknologjisë informative në Maqedoninë e Veriut po eksporton dije dhe po ndërton kompani që punojnë për klientë në mbarë botën – nga sistemet softuerike për biznes, zgjidhjet cloud dhe transformimi digjital, deri te siguria kibernetike dhe shërbimet outsourcing. Vetëm gjatë vitit të kaluar, 1.328 kompani të sektorit të programimit kompjuterik realizuan më shumë se gjysmë miliard euro të ardhura dhe fitim neto prej 48,4 milionë eurosh, shkruan portali Pari, përcjell PressOnline.al.
Kontribut të rëndësishëm në këtë sukses kanë edhe kompanitë e themeluara me kapital vendor. Dhjetë kompanitë më të mëdha vendore të IT-së realizuan vitin e kaluar të ardhura të përgjithshme prej 70,9 milionë eurosh dhe fitim të përbashkët prej 13,7 milionë eurosh. Krahasuar me vitin 2024, të ardhurat e tyre janë rritur për 7,42%, ndërsa fitimi për 13,22%. Analiza e portalit “Pari” bazohet në të dhënat e Biznis Mrezha dhe përfshin 13 kompani që renditen në listat Top 10 sipas të ardhurave dhe fitimit.
TË GJITHA FITOJNË MILIONA, AKSAPTA NË KRYE
Dhjetë kompanitë me të ardhurat më të larta realizuan nga 3 deri në mbi 20 milionë euro qarkullim gjatë vitit të kaluar.
Në vendin e parë renditet Aksapta Masters nga Shkupi me 20,4 milionë euro të ardhura, ose 20,06% më shumë se një vit më parë. E themeluar në vitin 2013, kompania sot konsiderohet një nga partnerët më të mëdhenj të Microsoft Dynamics në rajon, me mbi 300 të punësuar dhe projekte që përfshijnë më shumë se 250 mijë përdorues në nivel global. Vetëm ajo gjeneron pothuajse 29% të të ardhurave të të gjithë listës.
Interworks nga Manastiri renditet e dyta me 12,4 milionë euro të ardhura, megjithëse ka shënuar një rënie prej 4,24%. Kompania njihet për zhvillimin e ekipeve teknologjike jashtë Shkupit dhe për investimet në arsimin dhe komunitetin lokal të IT-së.
Nextsense, një nga kompanitë e pakta vendore që ka marrë pjesë në digjitalizimin e institucioneve dhe sistemeve zgjedhore, realizoi 9,4 milionë euro të ardhura, me një rritje prej më shumë se 5%. Ajo zhvillon gjithashtu zgjidhje për siguri kibernetike dhe teknologji të bazuara në blockchain.
Në grupin e kompanive me më shumë se 5 milionë euro të ardhura bëjnë pjesë edhe Panteleon GS me 5,9 milionë euro, e specializuar në sisteme ERP dhe zgjidhje biznesi, si dhe Macedonian Computer Associates, një nga pionierët e industrisë së IT-së në vend.
Rritjen më të madhe përqindore e ka shënuar Loca Services, me 21,63%. Kompania operon në fushën e outsourcing-ut dhe mbështetjes për klientët, sektor që po tërheq gjithnjë e më shumë profesionistë të rinj.
Nga ana tjetër, rënie të të ardhurave kanë regjistruar Interworks Bitola (-4,24%), Interworks Partners (-7,49%) dhe iBorn.NET (-8,33%).
LOCA SERVICES SHËNON RRITJE REKORDE TË FITIMIT
Kur bëhet fjalë për fitimin, shumica e kompanive kryesuese mbeten të njëjtat, ndërsa vetëm tre emra janë të rinj në listë. Katër kompani kanë shënuar ulje të fitimit, por dy prej tyre kanë realizuar rritje spektakolare.
Më e veçanta është Loca Services, e cila e rriti fitimin me plot 2.777% – nga vetëm 14.500 euro në vitin paraprak në 418.200 euro vitin e kaluar.
Një rritje të jashtëzakonshme ka shënuar edhe Intelligent Network Solutions, me 1.669% më shumë fitim – nga 24.500 euro në 434.400 euro.
Megjithatë, pozitat kryesore mbeten të pandryshuara. Aksapta Masters kryeson edhe sipas fitimit me 4,7 milionë euro, ndërsa në vendin e dytë renditet Interworks me 2,1 milionë euro fitim dhe një rritje gati 100%.
Edhe pse e fundit në listën sipas të ardhurave, KA Trade renditet e treta sipas fitimit me 2 milionë euro, megjithëse kjo paraqet një rënie prej 9,54% krahasuar me vitin 2024.
Fitim më të ulët krahasuar me një vit më parë kanë realizuar edhe Panteleon GS (-33,68%), Metik (-30,81%) dhe Macedonian Computer Associates (-1,84%).
Pavarësisht dallimeve në rezultatet financiare, të gjitha këto kompani kanë një të përbashkët: suksesin e tyre e bazojnë në tregjet ndërkombëtare dhe në eksportin e dijes, ekspertizës dhe inovacionit si produktet më të vlefshme që ofron industria vendore e teknologjisë informative.


