Marka luksoze padit Brad Pitt? Pse?

featured
Press Online
29 Maj 2026, 19:24

Një markë luksoze me bazë në Malibu ka ngritur padi ndaj linjës së kujdesit të lëkurës së Brad Pitt, duke e akuzuar për shkelje të të drejtave të markës tregtare dhe krijim konfuzioni te konsumatorët.

Sipas dokumenteve gjyqësore, padia është ngritur nga marka “Beau D.”, e cila pretendon se emri dhe dizajni i brendit të Pitt, “Beau Domaine”, janë shumë të ngjashëm dhe mund të ngatërrohen lehtësisht nga publiku.

Marka nga Malibu, e cila ka në treg edhe produktin “D. cream”, një krem për kujdes intim, thotë se problemi nuk lidhet me produktet në vetvete, por me identitetin vizual dhe emrin e markës.

Sipas pretendimeve të tyre, kompania e Brad Pitt ka ndryshuar emrin nga “Le Domaine” në “Beau Domaine” gjatë verës së vitit 2025, duke krijuar ngjashmëri të konsiderueshme me markën ekzistuese të regjistruar që në vitin 2020.

Në padi përmenden akuza për shkelje të markës tregtare dhe “keqpërcaktim të origjinës”, që nënkupton krijimin e përshtypjes se produktet mund të vijnë nga i njëjti burim ose të jenë të lidhura mes tyre.

Paditësit deklarojnë gjithashtu se kanë tentuar disa herë ta zgjidhin çështjen jashtë gjykatës, por pa arritur marrëveshje.

Nga kompania kërkohet një dëmshpërblim mbi 75 mijë dollarë, si dhe një urdhër i përhershëm gjykate që do të ndalonte përdorimin e emrit “Beau Domaine” dhe çdo element të ngjashëm të branding-ut.

Një nga bashkëthemeluesit e “Beau D.”, Brandon Palas, theksoi se çështja nuk ka lidhje me publicitet apo përfitim mediatik, por me mbrojtjen e punës së tyre si markë e pavarur.

Nuk po e bëjmë këtë për publicitet apo për të ndëshkuar dikë. Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e integritetit të asaj që kemi ndërtuar prej vitesh dhe me të drejtën e markave të pavarura që të rriten pa u ‘mbuluar’ apo zbehur nga dikush tjetër

-u shpreh ai.

Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Brad Pitt apo përfaqësuesit e tij lidhur me padinë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter