Rreth dy vjet para se të vritej, aktivisti e patrioti, Enver Hadri, e kishte lënë një porosi për shokët e ngushtë.
“Trupin e tij ia ka falur studentëve shqiptarë që të bëjnë operacione të mësohen me bë operacione në trupin e tij”, ka deklaruar Reshat Sahitaj – Bashkëveprimtar i Enver Hadrit.
25 shkurt 1990, rreth orës 16:30, Enver Hadri po e priste dritën e gjelbër në semafor, nga makina në krah nisën të shtënat, nga plumbat në kokë vdiq në vend.
35 vjet pas vrasjes Gjykata Penale në Bruksel e ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm për dy ekzekutorët, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq. Ndërkaq Bozhidar Spasiq burgimin me dënim të përjetshëm e kishte marrë në vitin 2016.
Lajmin e ka mirëpritur vajza, Teuta Hadri e cila përmes një shkrimi të gjatë i ka falënderuar krerët shtetëror për mbështetjen. Ajo ka thënë se Enver Hadri ishte viktimë e një krimi të tmerrshëm të orkestruar nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë, me ndihmën dhe lidhjet me krimin i organizuar i Beogradit.
Serbia e refuzon ekstradimin e tre kriminelëve që nën ombrellën e shteti serb e vranë udhëheqësin e Komitetit Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
“Të tre janë të duar por këta dy kanë vepra të tjera penale, për të cilat së pari duhet ta kryejnë dënimin në Beograd, Serbi në Mal të Zi njëri, edhe ata janë të moshës së vjetër 72-3 vjet i kanë, ata nuk ka mundësi me shku me e mbajtë burgun në Bruksel”, ka deklaruar Sahitaj.
Konfirmimin e burgut të përjetshëm për vrasësit e Hadrit e ka cilësuar triumf të drejtësisë edhe Kryeministri Albin Kurti, duke bërë thirrje që Serbia t’i dorëzojë të dënuarit para drejtësisë.






