Aktorja e famshme Sharon Stone ka rrëfyer një nga momentet më të vështira të jetës së saj personale, duke zbuluar se një krizë serioze shëndetësore ishte pika që çoi në fundin e martesës së saj të dytë.
Në një rrëfim të sinqertë, ylli i Hollywood-it tregoi se në fillim të viteve 2000 mjekët zbuluan tumore në gjoksin e saj, ndërsa njëri prej tyre konsiderohej veçanërisht shqetësues. Sipas saj, një specialist ngriti dyshime të forta për kancer dhe i sugjeroi që të merrte në konsideratë një mastektomi të dyfishtë.

Edhe pse vetë Stone nuk besonte se bëhej fjalë për kancer, ajo ishte e gatshme të ndërmerrte çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur shëndetin e saj.
Megjithatë, ajo zbuloi se nuk mori mbështetjen që priste nga bashkëshorti i saj i atëhershëm. Sipas aktores, ai kundërshtoi ashpër mundësinë e një operacioni të tillë, duke e konsideruar vendimin të panevojshëm.
Stone tha se reagimi i tij e tronditi dhe e bëri të kuptonte se marrëdhënia e tyre kishte arritur në një pikë pa kthim. Ajo theksoi se vendimet që lidhen me trupin dhe shëndetin e saj duhej t’i merrte vetë dhe se mungesa e mbështetjes në një moment kaq delikat ishte e papranueshme për të.
E kuptova se gjithçka kishte marrë fund
-la të kuptohej aktorja, duke kujtuar atë periudhë të vështirë.

Përfundimisht, pas ndërhyrjeve dhe ekzaminimeve të mëtejshme, rezultoi se tumoret ishin beninje dhe nuk kishte nevojë për mastektomi të dyfishtë.
Megjithëse Sharon Stone nuk e përmendi emrin e ish-bashkëshortit gjatë rrëfimit, ajo ishte e martuar me gazetarin Phil Bronstein nga viti 1998 deri në vitin 2004.
Rrëfimi i saj ka ngjallur reagime të shumta, pasi nxjerr në pah rëndësinë e mbështetjes emocionale dhe mirëkuptimit në momentet më të vështira të jetës.






