Shkruan: Kim Mehmeti
Ligjet dhe Konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve janë përralla për fëmijë në këtë botë ku brenda një viti vriten me dhjetëra mijë fëmijë dhe ku ato ligje e konventa e mbrojnë vetëm pjellën e të pasurit dhe të fortit.
Konventat e ndryshme për mbrojtjen e të drejtat individuale e kolektive janë tallje me të varfrit dhe të pambrojturit e kësaj bote, botë në të cilën, për shembull, Izraelit i lejohet që Gazën ta shndërrojë në thertore grash e fëmijësh të pafajshëm, duke u arsyetuar se e lufton terrorizmin?!
Shumëçka në këtë botë është e rrejshme, por megjithatë ia vlen të mbetesh njeri edhe atëherë kur e dinë se ligjet dhe kodet etike shërbejnë vetëm për t’ua mbuluar fytyrën vrasësve të pafajësisë fëmijërore dhe se janë përralla me të cilat të fortit dhe të pasurit i venë në gjumë popujt e vegjël dhe të pambrojtur.
Pra, ia vlen ta ngresh zërin e të mbrosh viktimën edhe atëherë kur e dinë se hebreu mund ta vret palestinezin e të mos i përgjigjet askujt, edhe atëherë kur e din se zëri yt nuk do ndryshojë asgjë, përveç se do mund t’ia lehtësoj rrjedhën e lotove nënës palestineze që e vajton fëmijën e vet të masakruar nga bombat izraelite.
Po pra, sado që nuk përfiton por humb shumëçka, ia vlen të mos i takosh taborit të jargavitësve ndaj të pasurve e të fortëve dhe të mbetesh njeri, të mos e harrosh kurrë urtësinë se si prindi i pasur, po ashtu edhe varfanjaku, që në ditën e lindjes, fëmijës së vet ia dhuron të njëjtën – vdekjen.