Shqiptari që na çoi në Hënë

featured
Press Online
25 Prill 2026, 22:28

Pikërisht atëherë kur betohemi në patriotizëm, le ta kemi këtë parasysh: se në këtë çast shumë të rinj po bëjnë gati valixhet dhe nuk kthejnë kokën pas. Partitë u tundin dorën të kënaqura teksa avioni ngrihet, të sigurta se parazitë ka në çdo hap, se ky fshat Potemkin do të zgjasë përgjithmonë – i ndërtuar me kulla letrash, i ngjitur e ringjitur, si shenjë e sigurt se ka qenë i rrënuar që në fillim

Nga Biljana Sekulovska

Nëse e shkruani në Google Albion Rexhepi me kirilicë, nuk del asgjë. Lajmi i parë është për Tetovën, se për një muaj policia ka shqiptuar gjashtë gjoba. Pastaj vijojnë lajme për përfaqësuesen maqedonase dhe kosovare në futboll, për një shqiptare nga Maqedonia që është xhudiste, e kështu me radhë. Asgjë për Albion Rexhepin.

Tani shkruajeni emrin e tij me alfabetin latin. Dalin lajme në gjuhën angleze për Albion Rexhepin. Një shqiptar nga Maqedonia që ka qenë pjesë e ekipit inxhinierik të misionit të NASA-s, Artemis II, që e riktheu njeriun në Hënë.

Për Albion Rexhepin dëgjova për herë të parë nga kolegu im Nazim Rashidi, i cili me krenari më pyeti: “A e di se një shqiptar nga Gostivari na e dha Hënën?” Mendova se po bënte shaka; ne gazetarët të paktën i dimë lajmet më të rëndësishme dhe të parat, e në fund edhe i mbajmë mend. Sidomos një lajm i tillë – një njeri nga Maqedonia të shkruajë historinë e njerëzimit. Rashidi ishte krenar për Albion Rexhepin, po aq sa ishte i zhgënjyer. Sepse jo vetëm që nuk kishte lexuar asgjë për krenarinë që ky shtet e ka në Rexhepin, por nuk e kishte parë as emrin e tij në mediat maqedonase. Asnjë shkronjë për këtë arritje, asnjë fjalë për rëndësinë e pushtimit të Hënës – këtë herë për ta rrethuar, herën tjetër për ta pushtuar.

Jo pse nuk guxohet të informohemi për shqiptarët tanë të mëdhenj, jo pse urrehemi. E vërteta është e trishtë – thjesht nuk dimë çfarë po na ndodh në shtet, sepse jemi të ndarë, sepse jetojmë në errësirë. Nuk e flasim gjuhën shqipe, nuk mund të lexojmë mediat shqiptare, nuk komunikojmë, nuk njihemi, sado që mund të duam njëri-tjetrin.

Supozoj se pjesërisht kjo vlen edhe për shqiptarët, për gazetarët shqiptarë, nuk e di. Me një “detaj” jashtëzakonisht të madh – ata e flasin gjuhën maqedonase, lexojnë mediat maqedonase, bota u është më e qartë dhe pikërisht për këtë edhe më e errët në këtë vend. Më e errët, sepse dinë shumë më tepër se ne maqedonasit. Më e ndritshme, sepse kanë përparësi në atë dije.

Albion Rexhepi për mediat shqiptare në Maqedoni thotë se ka studiuar në Maqedoni dhe ka një porosi se me arsim, mund dhe punë, mund të arrihet gjithçka.

Megjithatë, ta pranojmë – edhe ata edhe ne, edhe ne edhe ata, të gjithë jemi thellë të varrosur në punësimet partiake, sukseset dhe “bëmat” partiake. Ky është emëruesi ynë i përbashkët, kur libreza partiake na garanton jetën në këtë vend, sado ta imagjinojmë si të rehatshme dhe të lehtë, ajo është një jetë parazitare, e padobishme dhe e parëndësishme.

Atëherë kur nuk paraqitemi në punë shtetërore, por megjithatë marrim rrogë dhe jemi sovranë në rrënimin tonë. Sepse, kur i çon të gjithë në humnerë, në fund edhe ata të tërheqin me vete.

Albion Rexhepi e ka vetëm librin e vet personal; aty i shënon fitoret e veta, por edhe disa humbje – sigurisht që i ka edhe ato, sidomos kur jetohen ëndrrat, por ato janë për shkak të rrethanave të tjera, nuk i atribuohen fitoreve partiake.

Po t’i pyesni këto dhe të gjitha pushtetet e mëparshme, sigurisht do t’ju thonë se duan që këtë vend ta ndërtojnë njerëz si Albion Rexhepi. Por fjalët boshe i gëlltit partia e gjithëfuqishme, atëherë kur bëhet garanci për fitore, që nënkupton nënshkrim për humbje.

Jeta kështu kalon për të gjithë ne, përveç Albion Rexhepit dhe shumë njerëzve të mençur që kanë lindur në Maqedoni dhe menjëherë kanë dashur të ikin prej saj.

Pikërisht atëherë kur betohemi në patriotizëm, le ta kemi këtë parasysh: se në këtë çast shumë të rinj po bëjnë gati valixhet dhe nuk kthejnë kokën pas. Partitë u tundin dorën të kënaqura teksa avioni ngrihet, të sigurta se parazitë ka në çdo hap, se ky fshat Potemkin do të zgjasë përgjithmonë – i ndërtuar me kulla letrash, i ngjitur e ringjitur, si shenjë e sigurt se ka qenë i rrënuar që në fillim.

Lamtumirë, Albion Rexhepi, lamtumirë të gjithë të rinjve – mos u ktheni, sepse nuk ka të ardhme as për ne, e më së paku për ju, kurrë për të tillë si ju.

(Marrë nga platforma 25 Minuta)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter

Sohbet sistemi şu anda aktif değil. Lütfen daha sonra tekrar deneyin.