Policia inkurajon qytetarët të raportojnë rastet e kundërligjshme gjatë zgjedhjeve në veri
Policia e Kosovës ka njoftuar për planifikimet dhe angazhimet policore në menaxhimin e sigurisë gjatë procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.
Në një njoftim të bërë në Facebook Policia ka inkurajuar qytetarët që të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm gjatë zgjedhjeve që do të mbahen të dielën e kësaj jave.
“Njëkohësisht, institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre”, thuhet në njoftim.
Raportimet thuhet se do të trajtohen në mënyrë konfidenciale dhe të njëjtat mund t’i adresoni te Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja dhe te Policia e Kosovës.
Në njoftim thuhet se Policia në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë KQZ-në, ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve thuhet se është implementimi i planit operativ policor, ku Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës: para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
“Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme etj.”, thuhet në njoftim.
Ky plan thuhet se parasheh që Policia e Kosovës të angazhohet në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme për qytetarët dhe vendin, për t’u mundësuar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje.