Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i bën thirrje Prokurorisë Speciale që të trajtojë me seriozitet çështjet e krimeve të luftës. Ajo thotë se kanë fuqizuar kapacitetet në këtë institucion, ani pse Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka përfunduar procedurat e rekrutimit. Sipas saj, janë shtuar katër prokurorë shtesë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy staf mbështetës për të ndihmuar prokurorët.
Përkundër që ende nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për gjykim në mungesë, ministrja Haxhiu thotë se ky ligj ka nisur së zbatuari.
“Sa i përket gjykimit në mungesë ka hyrë në fuqi qysh para katër viteve. Sipas informacioneve që unë kam, tash së fundmi ka filluar që të ketë zbatim i njëjti. Mirëpo për më shumë informacione nuk mund të flas”, shprehet ajo.
Kjo mënyrë e gjykimit ndodhë për herë të parë në Kosovë dhe mund të procedohet vetëm pasi të dërgohen pesë ftesa në shtetin përkatës e të jenë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj në gazetën zyrtare.
E para e Drejtësisë shprehet se mbetet prioritet adresimi i krimeve të luftës, për çka kanë ndërmarrë disa veprime.
“Ne kemi fuqizuar kapacitetet në Prokurori Speciale. Fatkeqësisht Këshilli Prokurorial ende nuk i ka përfunduar procedurat e rekrutimit, por ne kemi shtuar edhe katër prokurorë shtesë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy staf mbështetës për t’i ndihmuar prokurorët për adresimin e këtyre krimeve. Në secilin takim që kam pasur me krerët e sistemit të drejtësisë, kam vënë në pah rëndësinë për adresimin serioz të krimeve të luftës. Sepse, siç jeni në dijeni ka pasur mosveprim, neglizhencë, diku edhe të qëllimshme të misioneve që kanë qenë të instaluar në Kosovë”, thotë Haxhiu.
Për hetimin e këtyre rasteve, Haxhiu thotë se duhet vullnet i hekurt dhe vigjilencë.
“Duhet një vullnet i hekurt, një vullnet më i madh për t’i adresuar seriozisht këto krime. Tani sa i përket ngritjes së aktakuzave, kjo është përgjegjësi e Prokurorisë Speciale, po të ishte në përgjegjësinë time, sigurisht që do të kisha përgjigje për këtë. Unë si ministre e Drejtësisë thërras që Prokuroria Speciale t’i trajtojë me seriozitetin më të lartë këto çështje. Për neve, sidomos gjatë këtyre muajve është e dhimbshme se kudo që shkojmë kemi masakrat ndër më të rëndat”, shprehet Haxhiu për Kosovapress.
Për më tepër, ajo thotë se synimet janë edhe për fuqizimin e Departamentit që adreson krimet e luftës brenda policisë.
Kujtojmë se, institucionet e Kosovës nga UNMIK dhe EULEX kanë trashëguar rreth 900 lëndë për krime e dy mijë të tjera për të zhdukurit.