1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Presidentja Osmani pas takimit me ministrin Billström: Kosova dhe Suedia partnere në mbrojtje të vlerave evropiane

Presidentja Osmani pas takimit me ministrin Billström: Kosova dhe Suedia partnere në mbrojtje të vlerave evropiane

featured

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin për Punë të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e shtetit suedez ndaj Kosovës që nga vitet e 90-ta, në procesin e shtetformimit, shtetëndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Në takim u diskutua për situatën aktuale politike në vend e rajon, procesin e dialogut me Serbinë si dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Presidentja Osmani ka theksuar se me liberalizimin e vizave për Kosovën, mori fund padrejtësia ndaj qytetarëve të Kosovës. Por, sipas Presidentes Osmani, synimi i Kosovës është që të bëhet edhe anëtare e familjes së madhe evropiane. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetje nga ministri Billström që Suedia si kryesuese e Këshillit të BE-së, ta mbështes aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është orientim strategjik. 

Mbështetja e Suedisë në këtë drejtim, sipas Presidentes Osmani është thelbësore për të ecur përpara me procesin e anëtarësimit në BE, duke ia dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat.

Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore.

Megjithatë, Presidentja Osmani ka potencuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

Sipas Presidentes Osmani,  Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtar rreth zbatimit të Marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Presidentja Osmani në takim me ministrin  Billström ka falënderuar Suedinë,  e cila ka mbështetur Kosovën në procesin e reformave, zhvillimin ekonomik, promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, mbrojtjen e biodiversitetit dhe qëndrueshmërisë mjedisore sikurse edhe në shkëmbimet kulturore.

Presidentja Osmani pas takimit me ministrin Billström: Kosova dhe Suedia partnere në mbrojtje të vlerave evropiane
|