E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë mjekja nutricioniste Matina Çobo, Ajo ka folur më shumë mbi ushqyerjen tani që po afron vera dhe ndryshimet metabolike që ndodhin tek trupi ynë.
Cilat janë ushqimet që nevojiten për të pasur imunitet të fortë gjatë verës?
Në përgjithësi ne sugjerojmë që ushqyerja të jetë sa më e lehtë në verë, të zgjedhim proteinat që janë më të lehta, si mishi i pulës dhe peshku. Kurse mishrat që janë pak më të rëndë nga ana kalorike, që kanë dhe yndyrna në përbërje, siç është mishi i viçit dhe i qingjit, por dhe nga ana strukturore, sa më të lehta të jenë aq më shpejt do t’i tresë trupi. Sepse ne flasim për kaloritë e ushqimeve, sa kalori trupi ynë përfiton nga konsumimi i një ushqimi të caktuar, por ushqimet kanë dhe efektin termik të tyre, që do të thotë se për të tretur trupi ynë një ushqim, sa kalori djeg në vetvete. Kjo gjë është më e lartë tek proteinat, prandaj kur flasim për dietat e dobësimit themi që të shtojmë proteinë në dietë pasi trupi harxhon vetë kalori për t’i tretur këto proteina. Më pak kalori harxhoj trupi për të tretur karbohidratet dhe akoma më pak kalori harxhon për yndyrnat. Kështu që nëse ne kemi proteina shumë të rënda në dietën tonë, trupi ynë do ketë vështirësi për t’i tretur. Nga ana e yndyrnave, jo se duhet të heqim dorë, por me sasi më të vogël. Gjalpi, arrorrët, në dimër ishin shumë të mira arrat, frutat e thata, tani në verë duhet t’i kufizojmë pak, mos të jenë në sasi shumë të madhe pasi janë më të vështira për t’u tretur. Sa i takon yndyrnave, të qëndrojmë tek vaji i ullirit, yndyrna që janë më të lehta, avokado, jo vaji i kokosit sepse është më i vështirë për t’u asimiluar në verë. Ndërsa sa i takon pjesës së karbohidrateve, ato mund të jenë të gjitha prezente në dietën tonë, edhe orizi, makaronat, legumet, fasulet, bishtajat, por në sasi më të kufizuar këto të dimrit që kanë më shumë kalori. Ne themi që tani në verë është ideale dieta mesdhetare, pavarësisht se në rajonin tonë ne përpiqemi ta zbatojmë gjithë vitin, sidomos në verë sa më shumë perime, sallatra, frutat që duhet të jenë patjetër prezente në dietën tonë. Proteinat e lehta, si peshku, veza, pula. Dhe kujdes me yndyrnat që janë të vështira për t’u tretur.




