1. Lajme
  2. GLOBI
  3. Përvjetori i kryengritjes së Varshavës, presidenti gjerman kërkon falje

Përvjetori i kryengritjes së Varshavës, presidenti gjerman kërkon falje

featured

80 vjetorin e kryengritjes se Getos së Varshavës, presidenti polak Andrzej Duda e përkujtoi së bashku me kreun e shtetit gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe atë izraelit, Isaac Herzog.

Në ceremoninë e zhvilluar në përkujtim të viktimave të asaj ngjarjeje historike, Steinmeir mbajti një fjalim para monumentit të heronjve të getos së Varshavës ku kërkoi ndjesë për veprimet e vendit të tij dekada më parë.

Jam këtu sot para jush dhe ju lutem për falje për krimet që gjermanët kanë bërë këtu. Gjermanët i përndoqën, i skllavëruan, i vranë gratë dhe burrat hebrenj të Europës si dhe gratë e burrat hebrenj të Varshavës, për këtë na mungojnë fjalët“- u shpreh Steinmeier

Monumenti i getos së Varshavës u vesh me një simbolikë të rëndësishme në marrëdhëniet gjermano-polake që nga rënia në gjunjë e kancelarit të atëhershëm gjerman, Willy Brandt përpara tij monumentit në dhjetor 1970. Steinmeier para ceremonisë u takua dhe me të mbijetuar të Holokaustit. Në geton e Varshavës u mbajtën në kushte çnjerëzore rreth 450.000 hebrenj nga nacionalsocialistët.

Dhjetëra mijëra vetë vdiqën nga uria e sëmundjet. Kryengritja filloi më 19 prill 1943, kur nazistët donin të deportonin banorët e fundit të zonës së rrethuar të qytetit për t’i çuar në kampin e shfarosjes, Treblinka. Me rebelimin në geton e Varshavës banorët hebrenj ushtruan rezistencë kundër pushtuesve gjermanë. Katër javë ata arritën të bëjnë rezistencë, derisa nacionalsocialistët e shkatërruan plotësisht geton. 56.000 hebrenj u vranë në këtë kryengritje hebreje.


Top Channel

Përvjetori i kryengritjes së Varshavës, presidenti gjerman kërkon falje
|