Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara mund të rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë. Ai përmendi si të mundshme tërheqjen e trupave nga vende si Italia, Spanja dhe Gjermania, duke argumentuar se këta aleatë nuk kanë dhënë mbështetjen e pritur në përballjen me Iranin.
Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se reduktimi i forcave amerikane në këto vende është një opsion real që po merret në konsideratë.
“Pse të mos e bëj? Italia nuk na ka ndihmuar fare dhe Spanja ka qenë e tmerrshme, absolutisht e tmerrshme”
Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, vendet europiane nuk kanë reaguar me shpejtësinë dhe angazhimin e duhur, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm Ukrainën.
Presidenti amerikan shtoi se administrata e mëparshme kishte dhënë rreth 350 miliardë dollarë për Ukrainën, një vendim që ai e konsideroi të gabuar, duke argumentuar se konflikti nuk lidhet drejtpërdrejt me SHBA-të.
“Ne jemi të ndarë nga një oqean. Është çështje e tyre, por ne po i ndihmojmë”
Në të njëjtën kohë, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka sulmuar edhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, duke i kërkuar të fokusohet më shumë në luftën në Ukrainë dhe problemet e brendshme të Gjermanisë, si emigracioni dhe energjia, dhe të mos ndërhyjë në përpjekjet për eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian.
Ndërkohë, nga Berlini ka ardhur një reagim i ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan. Sipas një zyrtari të qeverisë gjermane, i cituar nga Politico, politika e kërcënimeve të ashpra e Trump ka “arritur kufirin” dhe nuk është më efektive.
/vizionplus.tv



