Ligjvënësit e Bashkimit Evropian ditën e Enjte votuan në favor të një projektligji licencimi të kriptoaseteve, MiCA, me 517 vota pro dhe 38 kundër dhe 18 abstenime. Lëvizja mund të jetë e para në botë që prezanton një ligj gjithëpërfshirës të kriptoaseteve.
Parlamenti Evropian gjithashtu votoi me 529 vota pro për rregulloren Transfer of Funds që kërkon nga operatorët kripto të identifikojnë konsumatorët e tyre në përpjekje për të parandaluar pastrimin e parave.
Vota vjen pas një debati ditën e Mërkure ku në pjesë të madhe ligjvënësit ishin pro planeve për ti bërë ofruesit e portofolëve kripto dhe bursave të aplikojnë për një licencë në mënyrë që të operojnë brenda vendeve të bllokut.
Gjithashtu ligji kërkon që lëshuesit e stablecoin vlera e të cilave është e lidhur ngushtë me një aset real apo para fizike të ruajnë rezerva të mjaftueshme.
Përmes një cicërime në rrjetin social Twitter Komisionerja Evropiane Mairead McGuinness e përshkroi votën si rregullorja e parë në botë kripto.
✅ I welcome the European Parliament’s vote today to approve comprehensive EU rules on crypto: a world first.
The rules will start applying from next year. We’re protecting consumers and safeguarding financial stability and market integrity. pic.twitter.com/cdn58rb9FA
— Mairead McGuinness (@McGuinnessEU) April 20, 2023
“Po mbrojmë konsumatorët dhe ruajmë stabilitetin financiar dhe integritetin e tregut,” tha McGuinness. Rregullat do të fillojnë të aplikohen vitin e ardhshëm.
Përmes një deklarate lëshuar nga Parlamenti Evropian, Stefan Berger, ligjvënësi i cili udhëhoqi negocimin e ligjit, tha se rregullat e vendosin Bashkimin Evropian në krye të ekonomisë dixhitale.
“Industria Evropiane kripto ka një rregullore të qartë e cila nuk ekziston në vende si SHBA-ja,” tha Berger. “Sektori i cili u dëmtua nga kolapsi i FTX do të rifitojë besimin.”
Rregullorja e Tregjeve Kripto u propozua për herë të parë nga Komisioni Evropian në 2020-ën dhe u shndërrua në ligj për aprovim nga parlamenti dhe Këshilli Evropian që përfaqëson vendet anëtare të bllokut. Aplikimi i tij do të nisë brenda 12 muajve nga publikimi në fletoren zyrtare të BE-së. /PCWorld Albanian