Zayn Malik ka bërë një njoftim të rëndësishëm për turneun e tij të ardhshëm “KONNAKOL”, duke lënë të zhgënjyer mijëra fansa në mbarë botën.
Këngëtari 33-vjeçar konfirmoi përmes një postimi në Instagram se ka vendosur të anulojë të gjitha datat e turneut të tij në SHBA, pasi u shtrua në spital për një sëmundje të papritur.
Autori i hitit “Pillowtalk” falënderoi fansat për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë gjatë publikimit të albumit të ri, por edhe për mesazhet dhe lutjet për shëndetin e tij.

Ai tregoi se tashmë ndodhet në shtëpi duke u rikuperuar dhe se ndihet mirë, ndërsa shtoi se do të rikthehet më i fortë se më parë.
Në mesazhin e tij, Zayn shpjegoi se është detyruar të rishikojë planet për muajt në vijim dhe të reduktojë numrin e koncerteve të planifikuara në kuadër të turneut “KONNAKOL”.
Megjithatë, ai siguroi ndjekësit se dëshiron të takohet me sa më shumë prej tyre dhe shpreson të rikthehet sa më shpejt në skenë për fansat në të gjithë botën.
Këngëtari i hitit “Dusk Till Dawn” u shtrua në spital në Mbretërinë e Bashkuar rreth dy javë më parë, pikërisht në ditën kur publikoi albumin e tij të ri.
Edhe pse arsyeja e saktë e gjendjes së tij shëndetësore nuk është bërë publike, fansat janë mobilizuar menjëherë duke i dërguar urime dhe mesazhe për shërim sa më të shpejtë.



