Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, pakënaqësi në Shkup edhe Sofje!

featured

Sofja akuzon Shkupin se nuk ka përparim në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim në BE. Nga ana tjetër, Shkupi thotë se në vend të bisedës konstruktive vijnë vetëm një sërë provokimesh nga shteti fqinj. Shkëndijat e reja mes liderëve maqedonas dhe bullgarë sollën sërish në sipërfaqe ftohjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, pas mbylljes së klubeve bullgare në vend, si dhe në vazhdën e ndryshimeve kushtetuese dhe kërkesës që bullgarët të jenë pjesë e Preambulës së Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. As Shkupi dhe as Sofja nuk janë të kënaqur me zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, shkruan PRESSonline.al

Presidenti Stevo Pendarovski në paraqitjen e tij të fundit televizive në Sitel ka vlerësuar se nuk ka pasur një bisedë konstruktive me homologun e tij bullgar në dy vitet e fundit. Radev, nga ana tjetër, thotë se e ka ftuar Pendarovskin të paktën dhjetë herë të vizitojë Bullgarinë dhe i ka thënë se vendi duhet demokratizuar.

“Ne mund të falsifikojmë takime, por në dy vitet e fundit nuk kam pasur asnjë bisedë konstruktive me Radevin”, tha Pendarovski, duke theksuar se për herë të fundit e pa presidentin bullgar vitin e kaluar në mini-samitin në energji në Sofje. Ai vlerësoi se në dy vitet e fundit nuk ka pasur asnjë bisedë konstruktive me Radevin dhe se beson se nuk ka klimë të fqinjësisë së mirë.

“Duhen dy për tango. Objektivisht, në dy vitet e fundit, Bullgaria ka pasur një sërë provokimesh ndaj nesh dhe ka dalë me argumente për bllokadën tonë ndaj BE-së, e cila nuk është parë kurrë në historinë e BE-së. Asnjë shtet nuk ka bllokuar një shtet tjetër duke thënë ‘nuk je ai që mendon se je’, për të folur për politika identitare dhe për të bërtitur se unë nuk jam maqedonas dhe se vetëm nëse i ndryshoj të gjitha tekstet shkollore do të mund të përparoj drejt Evropës. ..”, vlerësoi Pendarovski.

Por presidenti bullgar Rumen Radev, në margjinat e seancës konstituive të Kuvendit të sapozgjedhur Kombëtar, pretendon se ka iniciuar takime disa herë.

“Në vitet e fundit e kam ftuar Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, të paktën dhjetë herë të vizitojë Bullgarinë. Vizita e vetme ishte më 1 tetor në hapjen e interkonjektorit. Edhe atëherë kam folur me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në mënyrë që Maqedonia e Veriut të marrë ndihmë financiare nga BE-ja për blerjen e energjisë elektrike”, tha Radev.

Ai në një prononcim për gazetarët ka treguar se “e kupton dhimbjen e Pendarovskit”, pasi para dy vitesh para institucioneve evropiane e ka ngritur çështjen e të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë. Ai përkujtoi se ishte i pari që e ngriti pikërisht këtë çështje, e cila tani është bërë një nga kushtet për përparimin e Maqedonisë drejt BE-së.

“Isha unë ai që arrita t’i bind të gjithë liderët dhe institucionet evropiane se hyrja e bullgarëve maqedonas në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet kusht i detyrueshëm për fillimin e negociatave për hyrjen në BE. Shpresoj se presidenti Pendarovski do të kuptojë se kjo do t’i ndihmojë vendit të tij që të shkëputet nga ideologjitë e së kaluarës totalitare dhe të shkojë drejt demokratizimit të shtetit”, tha Radev.(PRESSonline.al)

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, pakënaqësi në Shkup edhe Sofje!
|