Edhe sesioni i ri parlamentar ka nisur me debat, akuza dhe kundërakuza mes opozitës dhe mazhorancës.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ka ironizuar qasjen e re të qeverisë ndaj qytetarëve përmes BESËS dhe Pranisë Besnike.
Duke iu drejtuar kolegëve socialistë, Bardhi tha se do të jetë i pari që do të votojë projektligjin që do të sjellë Rama në Kuvend, ku do të kërkojë dënimin me burg për deputetët që do të përpiqen të fusin njerëz në punë.
“Kur Rama të sjellë në parlament ligjin që do t’ju fusë në burg nëse fusni njerëz në punë, unë do jem i pari që e votoj”, tha Bardhi.
Por nuk mungoi as ironia e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili theksoi se i vjen mirë që dëgjon se kolegët demokratë do të votojnë një projektligj të propozuar nga socialistët, ndërsa shtoi se do t’i pëlqente po ashtu të miratonin edhe ligjet që përafrojnë legjislacionin shqiptar me atë të BE-së.
“Më vjen mirë dhe dua ta falënderoj që i paskeni ndjekur propozimet tona, përfshirë propozimin e Ramës, me angazhimin që do ta votoni, dhe të votoni të gjitha ligjet e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së”, tha Balla.
Më tej, kreu i grupit parlamentar socialist, Balla, u ndal te BESA dhe Prania Besnike, të cilat, sipas tij, janë dy instrumente që do të dëgjojnë qytetarin dhe do t’u japin zgjidhje problemeve.
“Ne si grup parlamentar hyjmë në këtë sesion me një organizim të ri përmes BESËS dhe Pranisë Besnike, që e përmendi kryetari juaj i grupit. Të dyja ato po zënë vend. BESA nuk është thjesht një fjalë. Në këtë moment kthese të këtij mandati të katërt, ku qytetari nuk kërkon prej nesh vetëm çfarë kemi bërë, por dhe të dëgjohet. Do të dijë ku është halli i tij, pse është vonuar, kur do marrë përgjigje.
Prania Besnike nuk është një kalendar elektoral, as mbledhje partie dhe as takim ku ne flasim. Prania Besnike për ne është vetëm dëgjim. Deputeti është me Kushtetutë, me ligj, që të sjellë te institucioni çdo shqetësim. Suksesi i Pranisë Besnike do të jetë kur qytetarët të kenë gjithnjë e më pak nevojë për Praninë Besnike”, u shpreh Balla.


