Autoritetet e Kosovës kanë rrënuar dy shtëpi pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të vendit, dhe kanë paralajmëruar largimin e katër verandave të tjera, në kuadër të një aksioni kundër ndërtimeve pa leje, i cili ka nxitur reagimin e Beogradit.
Aksioni i 20 nëntorit vjen disa muaj pasi Bashkimi Evropian kishte kërkuar pezullimin e rrënimeve në këtë zonë, për shkak të shqetësimeve lidhur me respektimin e procedurave ligjore dhe të drejtave pronësore.
Ministrja e Mjedisit e Kosovës, Fitore Pacolli, njoftoi më 20 nëntor se Inspektorati i ministrisë që ajo drejton kishte nisur rrënimin e gjashtë objekteve pa leje pranë Ujmanit, përkatësisht katër verandave dhe dy shtëpive.
“Pas rrënimit të të gjitha ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit, po i kthehemi Ujmanit”, shkroi Pacolli në Facebook.
Ajo paralajmëroi aksione të ngjashme edhe pranë liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.
“Asnjë ndërtim i paligjshëm në zonat përreth liqeneve nuk do të tolerohet. Ligji do të zbatohet pa përjashtim”, tha Pacolli.
Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka asistuar Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit në rrënimin e dy shtëpive pranë Ujmanit.
Erduan Baliqi, shef i Planifikimit dhe Vlerësimit Operacional në Policinë e Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, tha se rrënimi i dy shtëpive ka përfunduar, ndërsa pronarët e katër verandave janë pajtuar t’i rrënojnë vetë ato.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti ta konfirmonte këtë me pronarët.
Po ashtu, mbetet e paqartë nëse objektet e përfshira në aksion kanë qenë pjesë e ndonjë procedure gjyqësore dhe nëse pronarëve u janë dorëzuar vendimet për rrënim.
Reagimet nga Beogradi dhe Lista Serbe
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e dënoi aksionin, duke e cilësuar si të paligjshëm dhe shkelje të të drejtave pronësore të serbëve.
Sipas saj, dy shtëpitë e rrënuara u përkisnin familjeve Radojkoviq dhe Drobnjak, ndërsa pronarëve të katër objekteve në fshatin Kopiloviq u është kërkuar të rrënojnë vetë pjesë të ndërtimeve të tyre, përfshirë verandat dhe muret mbajtëse.
Kjo zyrë e akuzoi Qeverinë e Kosovës për veprime të drejtuara kundër komunitetit serb dhe paralajmëroi se do të kërkojë reagimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, duke iu referuar thirrjeve të mëhershme të BE-së dhe OSBE-së për respektimin e procedurave ligjore.
Edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e dënoi aksionin, duke pretenduar se rrënimet po vazhdojnë pavarësisht procedurave gjyqësore në zhvillim dhe mungesës së vendimeve përkatëse të autoriteteve kompetente.
Ajo kërkoi pezullimin e rrënimeve deri në përfundimin e procedurave gjyqësore dhe u bëri thirrje BE-së dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë të ndërhyjnë për mbrojtjen e të drejtave pronësore të serbëve.
BE-ja kishte kërkuar pezullimin e rrënimeve
Rrënimi i disa objekteve pranë Liqenit të Ujmanit nisi në fund të qershorit, ndërsa më 21 korrik autoritetet e Kosovës rrënuan 11 shtëpi që, sipas ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc, ishin ndërtuar pa leje në pronën që ajo administron.
Pronarët e disa objekteve i kundërshtuan rrënimet, duke pretenduar se kishin nisur procedura gjyqësore për të dëshmuar të drejtat e tyre pronësore.
Aksionet nxitën reagimin e Bashkimit Evropian, i cili më 22 korrik kërkoi pezullimin e menjëhershëm të rrënimeve, largimeve të detyruara dhe marrjes në posedim të pronave, derisa të adresoheshin shqetësimet lidhur me respektimin e procedurave ligjore.
BE-ja theksoi se disa nga banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afateve të përcaktuara në njoftimet e Ibër-Lepencit.
Më 4 gusht, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, përsëriti kërkesën për ndalimin e rrënimeve të mëtejshme dhe gjetjen e zgjidhjeve ligjore në bashkëpunim me banorët e prekur dhe autoritetet lokale.
Sipas saj, rrënimet duhej të pezulloheshin derisa gjykatat kompetente të merrnin vendime përfundimtare për kontestet pronësore.
BE-ja vazhdoi të shprehte shqetësime për rrënimet edhe gjatë muajve pasues.
Çështja u përfshi edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, i cili vuri në pikëpyetje kompetencat e Policisë për t’u asistuar ndërmarrjeve publike në marrjen në posedim dhe rrënimin e pronave, pa vendime të përshtatshme gjyqësore ose administrative.
Liqeni i Ujmanit, pjesa më e madhe e të cilit shtrihet në komunën e Zubin Potokut, është një nga burimet më të rëndësishme ujore të Kosovës.
Uji i tij përdoret për furnizimin e qytetarëve, ujitjen e tokave bujqësore dhe ftohjen e termocentraleve që prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në vend. /rel/


