Legjenda braziliane Roberto Carlos ka shprehur vlerësime të mëdha për Federico Dimarcon, duke e krahasuar mbrojtësin e Interit me veten dhe duke e cilësuar si një shembull të mbrojtësit modern.
Dimarco është shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Interit, ndërsa sezoni i kaluar ishte veçanërisht pozitiv për italianin, i cili u shpall lojtari më i mirë i sezonit në “Serinë A”.
I pyetur për ngjashmëritë mes tij dhe Dimarcos, Roberto Carlos nuk e fshehu admirimin për mbrojtësin zikaltër.
“Dimarco është një anësor i majtë i jashtëzakonshëm. Mund vetëm ta përgëzoj për sezonin e kaluar. Ai përfaqëson atë që është një mbrojtës modern”, deklaroi ish-ylli i Real Madridit.
Braziliani vijoi me krahasimin, duke theksuar se Dimarco i ngjan në mënyrën e të luajturit.
“Jam shumë i kënaqur të flas për të, sepse më kujton shumë stilin tim të lojës dhe shpejtësinë time. Ai është një lojtar super inteligjent dhe i uroj gjithë të mirat”, u shpreh Roberto Carlos.
Fjalët e një prej mbrojtësve më të famshëm të historisë së futbollit përbëjnë një vlerësim të madh për Dimarcon, i cili vitet e fundit është konsoliduar si një prej anësorëve më të spikatur të futbollit italian dhe europian.


