Partitë me urime për qytetarët për 8 Shtatorin, Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se para 35 vitesh na bashkoi ëndrra për një Maqedoni të lirë dhe të pavarur.
“Populli maqedonas tregoi se ka guxim të ecë në rrugën e vet me kokën lart dhe me besim në të ardhmen e tij. Le të na bashkojë edhe sot dashuria për Maqedoninë. Pavarësia është ndjenjë përkatësie, dashuri për atdheun dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes. Ajo është detyrim për ta ruajtur atë që na është lënë dhe me dinjitet t’ua përcjellim brezave që vijnë”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga VLEN-i me mesazhin se kjo ditë u përket të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, gjuhës, fesë apo bindjes politike.
“Kjo është një ditë që na kujton se shteti ndërtohet me kontribut të përbashkët dhe se e ardhmja jonë është më e fortë kur respektojmë njëri-tjetrin dhe sigurojmë barazi për të gjithë. Shqiptarët janë pjesë e pandashme e historisë, shtetësisë dhe zhvillimit të këtij vendi. Kontributi i tyre në ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shoqërisë sonë është pjesë e pandashme e identitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga VLEN.
Sot, kur festojmë 35-vjetorin e pavarësisë, duhet të shikojmë para së gjithash përpara, drejt viteve dhe dekadave që vijnë, porositi në urimin e tij kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Të ndërtojmë një shtet evropian ekonomikisht të fuqishëm, me standard më të mirë jetese, në të cilin shkollat do të mbushen me fëmijë, në vend që të zbrazen, ndërsa të rinjtë ëndrrat dhe të ardhmen e tyre do t’i shohin këtu, në shtëpinë e tyre. Të ndërtojmë një shtet evropian me sistem që funksionon dhe drejtësi që vlen njësoj për të gjithë. Të ndërtojmë një Maqedoni evropiane, në të cilën të rinjtë do të mund të krijojnë shtëpi dhe familje”, u shpreh Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në mesazhin për 35-vjetorin e pavarësisë theksoi se e ardhmja evropiane nuk ndërtohet duke zvogëluar të drejtat, por duke rritur besimin.
“Në 35-vjetorin e pavarësisë, mesazhi im është i thjeshtë: ta ruajmë atë që ndërtuam së bashku dhe të vazhdojmë përpara. Të mos kthehemi te politikat që përçajnë, por të ecim drejt një shteti që bashkon. Sepse e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk ndërtohet duke zvogëluar të drejtat e dikujt, por duke rritur besimin mes të gjithëve”, tha Ali Aheti, kryetar i BDI-së.
Gjatë shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë, ditët e fundit u zhvilluan një sërë manifestimesh dhe koncertesh, ndër të cilat edhe ai ku performoi tenori me famë botërore, Hoze Kareras. Festimet përmbyllen me koncertin e mbrëmjes nga ylli i muzikës Devid Gueta.


