Vdekja e papritur e aktorit turk Serhat Kiliç, në moshën 51-vjeçare, ka tronditur kolegët dhe publikun në Turqi. Tashmë, partnerja e tij prej rreth tetë vitesh, Özlem Esmergül, ka reaguar publikisht për herë të parë pas tragjedisë.
Kiliç, i njohur për rolet e tij në seriale si “Ezel” dhe “Seksenler”, u gjet pa shenja jete në banesën e tij në lagjen Nurtepe të Stambollit më 5 shtator.
Sipas dëshmisë së Esmergül, ajo kishte humbur kontaktet me aktorin dhe, pasi telefoni i tij ishte fikur, vendosi të shkonte në banesën e tij.

Duke pasur çelësin rezervë, ajo hyri brenda dhe e gjeti Kiliçin të ulur pa lëvizur në një kolltuk në dhomën e ndenjes. Fillimisht mendoi se ai ishte duke fjetur, por pasi vuri re se nuk reagonte dhe se trupi i tij ishte i ftohtë, telefonoi motrën e tij dhe më pas shërbimet e emergjencës.
Ekipet mjekësore që mbërritën në vendngjarje konstatuan vdekjen e aktorit, ndërsa trupi i tij u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Në dëshminë e saj, Esmergül tregoi se më 3 shtator Kiliç nuk kishte shkuar në një xhirim, pasi vuante nga dhimbje të forta të shkaktuara nga hernia diskale në qafë.
Sipas saj, aktori i kishte thënë se kishte marrë disa ilaçe, por dhimbjet vazhdonin dhe se po përjetonte shumë vuajtje. Më vonë, ai e kishte telefonuar me zë të përlotur dhe i kishte treguar se ishte larguar nga projekti ku po punonte.
Esmergül tha se Kiliç nuk dëshironte të takonte askënd në atë moment, ndaj ajo kishte tentuar t’i jepte hapësirë, duke vijuar ta kontaktonte përmes telefonatave dhe mesazheve.
Partnerja e aktorit deklaroi se, sipas dijenisë së saj, Kiliç vuante nga tensioni i lartë i gjakut, gastriti dhe hernia diskale në qafë. Ajo tha gjithashtu se ai përdorte disa medikamente, por se nuk kishte dijeni për përdorim të alkoolit apo substancave.
Ndërkohë, në raportimet fillestare ishte përmendur edhe limfoma, por shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është bërë i ditur. Hetimet dhe ekzaminimet mjekoligjore pritet të përcaktojnë rrethanat e sakta të vdekjes.
Pas tragjedisë, Özlem Esmergül ka ndarë edhe një mesazh prekës për partnerin e saj, duke kujtuar lidhjen e tyre dhe humbjen e papritur që ka lënë pas.


