Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, deklaroi se aktualisht Ministria nuk ka informacione për bashkim kartel të blerësve të produkteve bujqësore, por theksoi se, nëse ka indicie për një praktikë të tillë, institucionet do të ndërhyjnë.
Durmishi tha se Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës do të dalë në terren dhe do të kontrollojë subjektet përkatëse, ndërsa shkelësit do të ndëshkohen brenda mundësive që lejon ligji.
Ai theksoi se të dhënat për çmimet publikohen çdo muaj nga Enti Shtetëror i Statistikës, ndërsa Inspektorati i Tregut kryen kontrolle në terren.
“Po presim që këto ditë të publikohen të dhënat dhe të shohim se cila është gjendja me çmimet në gusht. Do t’i krahasojmë të dhënat dhe do ta informojmë opinionin”, tha Durmishi.
Sipas tij, në korrik inflacioni ishte 0.1 për qind në nivel mujor dhe 2.3 për qind në nivel vjetor, ndërsa çmimet e produkteve ushqimore u ulën me 1.3 për qind.
Durmishi paralajmëroi se, nëse evidentohen rritje të pajustifikuara të çmimeve apo sjellje devijante nga tregtarët, Qeveria do të përdorë të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion.
Sa i përket mundësisë për uljen e TVSH-së për karburantet, Durmishi tha se për këtë çështje është kompetent një tjetër ministër, i cili pritet të paraqesë informacionet në një seancë të Qeverisë.
Ai shtoi se, gjatë periudhës së krizës, Qeveria kishte marrë masa për uljen e çmimeve të derivateve të naftës për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, ndërsa vendimi për hapat e mëtejshëm do të merret pasi ministri kompetent të paraqesë të dhënat.


