Një prej objekteve më ikonike të karrierës së George Michael do të dalë në ankand këtë vjeshtë. Bëhet fjalë për kitarën që këngëtari përdori në videoklipin e famshëm të këngës “Faith”, e cila pritet të shitet për deri në 120 mijë paund, rreth 140 mijë euro.
Instrumenti është një Gretsch Synchromatic 160, i prodhuar rreth vitit 1945. Pikërisht kjo është kitara që shfaqet në videoklipin e vitit 1987, ku George Michael, i veshur me xhaketën e zezë prej lëkure dhe xhinse, luan pranë një jukebox-i.
Kitara është ruajtur së bashku me kutinë origjinale dhe rripin prej lëkure. Sipas shtëpisë së ankandeve Sworders, instrumenti është restauruar dhe pastruar me kujdes për t’iu rikthyer pamjes që kishte në videoklip.

Kitara ishte pjesë e koleksionit të Siobhan Bailey, asistente personale dhe bashkëpunëtore e afërt e George Michael për më shumë se dy dekada. Pas vdekjes së saj në vitin 2014, koleksioni i saj personal do të nxirret në shitje nga bashkëshorti i saj.
Ankandi, i titulluar “Faith & Fame: A Personal George Michael Collection”, do të zhvillohet më 29 tetor 2026. Përveç kitarës, koleksioni përfshin fotografi, materiale nga turnetë, disqe të arta dhe platini, programe koncertesh dhe dokumente nga karriera e Michael dhe periudha e tij me Wham!.
Në total, i gjithë koleksioni pritet të arrijë një vlerë prej më shumë se 200 mijë paund.
Përfaqësuesi i Sworders e ka cilësuar kitarën e “Faith” si “xhevahirin e kurorës” së ankandit, duke theksuar rëndësinë e saj në historinë dhe imazhin artistik të George Michael.


