Pse një njeri është më i shoqërueshëm, ndërsa një tjetër më i tërhequr? Pse dikush është shumë i organizuar dhe një tjetër më spontan? Dhe sa prej këtyre dallimeve i marrim që në lindje? Një studim i ri ndërkombëtar ka bërë analizën më të madhe deri tani për të kërkuar përgjigje në ADN.
Studiuesit kombinuan të dhënat e 46 grupeve kërkimore dhe analizuan nga rreth 611 mijë deri në 1.14 milionë persona, në varësi të tiparit të personalitetit që po studiohej. Në qendër ishin pesë tiparet e njohura në psikologji si “Big Five”: ekstroversioni, dakordësia me të tjerët, ndërgjegjshmëria dhe organizimi, neuroticizmi dhe hapja ndaj përvojave të reja.
Rezultati ishte identifikimi i 1,260 varianteve të zakonshme gjenetike të lidhura me një ose më shumë prej këtyre tipareve. 824 prej tyre nuk ishin identifikuar më parë. Lidhja më e madhe u gjet për neuroticizmin, ku numri i varianteve të identifikuara u rrit nga 224 në 706. Për ekstroversionin u gjetën 258, për ndërgjegjshmërinë 131, për hapjen ndaj përvojave 126 dhe për dakordësinë 39.
Por kjo nuk do të thotë se ADN-ja vendos se çfarë personaliteti do të kemi. Secili variant ka një ndikim jashtëzakonisht të vogël dhe studiuesit theksojnë se gjenetika nuk mund të përdoret për të lexuar personalitetin e një individi nga ADN-ja e tij. Variantet e zakonshme gjenetike shpjeguan vetëm një pjesë të ndryshimeve të personalitetit mes njerëzve.
Mjedisi ku rritemi dhe jetojmë vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm. Studimi zbuloi megjithatë se lidhjet mes gjeneve dhe personalitetit mbeteshin mjaft të qëndrueshme mes vendeve të ndryshme, grupmoshave dhe mënyrave të ndryshme të matjes së personalitetit.
Studiuesit gjetën gjithashtu lidhje gjenetike mes tipareve të personalitetit dhe mënyrës së jetesës. Për shembull, variantet e lidhura me një nivel më të lartë ndërgjegjshmërie shoqëroheshin edhe me më pak përdorim të substancave, më shumë aktivitet sportiv dhe indeks më të ulët të masës trupore.
Studimi nuk thotë se ekziston një “gjen i personalitetit”. Përkundrazi, tregon se personaliteti njerëzor ndërtohet nga një numër shumë i madh ndikimesh gjenetike tepër të vogla, të cilat ndërveprojnë me mjedisin dhe përvojat e secilit. Kërkimi është publikuar në revistën shkencore Nature dhe përbën deri tani një nga pamjet më të detajuara të lidhjes mes ADN-së dhe personalitetit njerëzor.


