Avancimi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian për kryeministrin Edi Rama është fitorja e radhës.
Një ditë pasi grupi i punës për zgjerimin i njohur si COELA, miratoi kalimin e raportit IBAR në këshillin e ambasadorëve, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se ky progres është dëshmi e punës së bërë nga vendi ynë.
“Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton”, tha Rama.
Për Ramën ky është një moment ku duhet të krenohen të gjithë shqiptarët që nga grupi negociator, tek aktorët politikë e deri tek qytetarët e thjeshtë.
“Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE”, tha Rama.
Në reagimin e tij në Facebook, Rama nuk harroi as përgjigjen ndaj pretendimeve të opozitës së negociatat kishin ngecur.
“Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua. U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi”, tha Rama.
Konferenca e tetë nderqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian i hap rrugën mbylljes së kapitujve të parë të anëtarësimit.



