Barazia institucionale nuk është kërcënim për shtetin!

featured
Press Online
20 Maj 2026, 10:54

Debati për mundësinë që studentët dhe juristët shqiptarë të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare ka hapur sërish një çështje të vjetër në Maqedonia e Veriut: sa realisht funksionon barazia gjuhësore në institucionet e shtetit. Reagimi i ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, i cili theksoi se “gjuha maqedonase nuk është pengesë, por obligim dhe garanci për funksionimin e shtetit”, e zhvendosi debatin nga fusha e të drejtave profesionale dhe institucionale në një terren më të ndjeshëm politik dhe etnik, shkruan PressOnline.al .

Në thelb, kërkesa e studentëve shqiptarë nuk duhet parë si sulm ndaj gjuhës maqedonase dhe as si përpjekje për dobësimin e shtetit. Përkundrazi, ajo duhet kuptuar si kërkesë për qasje të barabartë në sistemin e drejtësisë. Në një shtet shumetnik, ku gjuha shqipe ka përdorim zyrtar dhe ku shqiptarët janë pjesë përbërëse e jetës institucionale, mundësia për të hyrë në profesionet juridike pa pengesa gjuhësore është çështje e drejtësisë, përfaqësimit dhe integrimit.

Provimi i jurisprudencës është një nga filtrat kryesorë për hyrjen në sistemin juridik. Ai nuk është vetëm test profesional, por edhe portë për karrierë në avokati, gjyqësi, prokurori, administratë dhe institucione të tjera të drejtësisë. Nëse kandidatët shqiptarë detyrohen ta kalojnë këtë proces vetëm në gjuhën maqedonase, atëherë krijohet një pabarazi reale, sepse aftësia profesionale juridike nuk matet domosdoshmërisht me zotërimin perfekt të një gjuhe tjetër, por me njohjen e ligjit, arsyetimin juridik dhe aftësinë për të zbatuar normat.
Prandaj, argumenti se provimi në gjuhën shqipe do të cenonte standardet profesionale nuk qëndron, nëse shteti ndërton mekanizma të qartë dhe cilësorë për përkthim, terminologji juridike dhe vlerësim të barabartë. Standardet nuk ruhen duke kufizuar gjuhën e kandidatëve, por duke siguruar që provimi, pavarësisht gjuhës në të cilën jepet, të ketë të njëjtën përmbajtje, të njëjtën peshë dhe të njëjtat kritere vlerësimi.

“Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje e profesionalizmit, ekspertizës dhe respektimit të rendit juridik të shtetit. Është e papranueshme që tema të ndjeshme që prekin drejtpërdrejt sistemin juridik të përdoren për mbledhje pikësh politike ose për krijimin e tensioneve ndëretnike. Provimi i jurisprudencës zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, e jo sipas agjendave ditore politike apo presioneve nga rruga. E drejta për protestë është e drejtë demokratike, por askush nuk ka të drejtë që përmes protestave të dhunshme të kërkojë rrëzimin e kritereve dhe standarE madhee në drejtësi”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, përcjell PressOnline.al

Kjo qasje mund të jetë e kuptueshme në aspektin e ruajtjes së rendit publik, sidomos pas incidenteve në protestë, por nuk guxon ta errësojë thelbin e problemit. Çdo incident eventual duhet të trajtohet veçmas nga kërkesa bazë e studentëve. Një kërkesë legjitime nuk humb vlerën vetëm pse protesta është shoqëruar me tensione apo me simbole që për një pjesë të opinionit janë kontestuese.

Në këtë pikë, institucionet duhet të tregojnë pjekuri. Të drejtat gjuhësore nuk zgjidhen me etiketime, as me frikësim të opinionit se çdo kërkesë shqiptare është presion etnik. Përkundrazi, shteti duhet të dëshmojë se është mjaftueshëm i fortë për të respektuar diversitetin e vet. Gjuha maqedonase mbetet gjuhë zyrtare dhe element i rëndësishëm i funksionimit shtetëror, por kjo nuk duhet të përjashtojë përdorimin e shqipes në procese ku qytetarët shqiptarë kërkojnë barazi profesionale dhe institucionale.

Edhe debati mes partive shqiptare tregon se çështja ka qenë e lënë pas dore për vite me radhë. VLEN akuzon BDI se gjatë kohës kur kishte ministra shqiptarë të Drejtësisë nuk e zgjidhi këtë problem, ndërsa BDI e paraqet veten si mbështetëse të studentëve.

“Kërkova fjalën për procedurë, për shkak të mosrespektimit të së drejtës kushtetuese për protestë gjatë ditës së djeshme, ku protestuan të rinj dhe studentë. Shumë prej tyre u penguan qëllimisht. Zëvendëskryeministri dhe zëvendësministri duhet të mbajnë përgjegjësi për këto veprime të turpshme”, deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.

“Studentët protestuan kundër padrejtësive që burojnë pikërisht nga koha e BDI-së, periudhë në të cilën pesë ministra shqiptarë të Drejtësisë nuk lëvizën as gishtin për të zgjidhur çështjen e gjuhës amtare. Ne nuk fshihemi nga problemet, por përballemi me to. Në takimin e punës me kryeministrin është arritur marrëveshje konkrete që institucionet të gjejnë zgjidhje dhe tashmë po punohet aktivisht për atë zgjidhje, e cila do të jetë në interes të qytetarëve”, reaguan nga VLEN, përcjell PressOnline.al .

Por për qytetarët dhe për studentët, më pak rëndësi ka se kush e ka fajin në të kaluarën; më shumë rëndësi ka kush është i gatshëm ta zgjidhë problemin tani. Politizimi partiak nuk duhet ta zëvendësojë zgjidhjen institucionale.

Nëse qeveria dhe Ministria e Drejtësisë vërtet duan ta shmangin tensionin, atëherë duhet të ofrojnë rrugë konkrete: formimin e një grupi pune me ekspertë juridikë, përfaqësues të universiteteve, përfaqësues të studentëve dhe institucioneve kompetente; harmonizimin e terminologjisë juridike në shqip; përgatitjen e versioneve zyrtare të materialeve dhe testeve; si dhe garantimin që provimi në shqip të ketë standard të njëjtë me atë në maqedonisht.

Një zgjidhje e tillë nuk do ta dobësonte shtetin. Përkundrazi, do ta forconte atë. Shteti funksional nuk është ai që kërkon uniformitet të detyruar, por ai që krijon kushte që të gjithë qytetarët të ndihen të përfaqësuar dhe të barabartë. Nëse shqiptarët janë pjesë e sistemit juridik, atëherë duhet t’u mundësohet edhe hyrja në atë sistem në mënyrë të drejtë dhe pa pengesa të panevojshme.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk është betejë kundër gjuhës maqedonase. Është betejë për barazi institucionale. Është kërkesë që profesionistët shqiptarë të mos trajtohen si të huaj në shtetin e tyre. Në vend të reagimeve mbrojtëse dhe akuzave për presion politik, institucionet duhet të japin përgjigje të qartë: kur dhe si do të mundësohet një zgjidhje e drejtë, profesionale dhe në përputhje me realitetin shumetnik të vendit.

Në fund, një shtet që i njeh qytetarët e vet vetëm në teori, por u vendos pengesa në praktikë, prodhon pakënaqësi. Ndërsa një shtet që i integron gjuhët, komunitetet dhe profesionistët e vet në mënyrë të barabartë, ndërton besim. Pikërisht ky është testi i vërtetë për institucionet: jo ta shohin gjuhën shqipe si problem, por si pjesë të zgjidhjes për një drejtësi më gjithëpërfshirëse dhe më të besueshme.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter