Vdekja e biznesmenit të njohur spanjoll Isak Andic po rikthehet sërish në qendër të mediave, pasi hetimet për ngjarjen kanë marrë një kthesë të papritur. Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, djali i tij, Jonathan Andic, është përfshirë tashmë në hetime lidhur me rrethanat e vdekjes së të atit.
Themeluesi i markës së famshme Mango humbi jetën në dhjetor të vitit të kaluar, pasi ra nga një greminë në zonën malore të Montserrat. Fillimisht, ngjarja u konsiderua një aksident tragjik, por zhvillimet e fundit duket se kanë ngritur dyshime të reja për atë që ndodhi realisht.

Raportohet se autoritetet po analizojnë mundësinë e një krimi të mundshëm, ndërsa disa deklarime të Jonathan Andic thuhet se nuk përputhen plotësisht me versionin fillestar të ngjarjes. Pikërisht kjo ka bërë që hetuesit të thellojnë verifikimet dhe të rikthejnë në vëmendje detaje të reja të rastit.

Pavarësisht spekulimeve, familja Andic ka deklaruar se mbështet plotësisht Jonathan-in dhe po bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare ndaj tij.
Rasti ka shkaktuar interes të madh në Spanjë dhe në botën e biznesit, pasi Isak Andic konsiderohej një nga figurat më të rëndësishme të industrisë së modës europiane.



