Ndërsa afatet kushtetuese për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit po ofrojnë, dinamikat politike në vend kanë marrë një kthesë të re përmes një lëvizjeje të fundit të mazhorancës drejt opozitës. Burime të afërta me procesin e negociatave bëjnë të ditur për portale kosovare se Kryeministri Albin Kurti ka përgatitur një platformë konkrete me dy opsione, të cilën pritet t’ia prezantojë Lidhjes Demokratike të Kosovës në përpjekje për të siguruar stabilitetin e nevojshëm institucional. Kjo platformë sot do ti prezantohet Lumir Abdixhikut të LDK-së.
Sipas këtyre informacioneve, oferta e parë parashikon që LDK-ja të propozojë një kandidat të saj për postin e Presidentit, me garancinë se Lëvizja Vetëvendosje do të ofrojë mbështetjen e plotë, përfshirë edhe nënshkrimet e nevojshme procedurale për ta dërguar emrin në votim në Kuvend.
Si një alternativë të dytë, Kurti ka propozuar identifikimin e një figure konsensuale dhe mbi-partiake, duke sinjalizuar gatishmërinë e subjektit të tij për t’u tërhequr nga emrat e lidhur ngushtë me LVV-në, si Glauk Konjufca, me qëllim që t’i hapet rrugë një personaliteti që gëzon besim më të gjerë politik.
Ky zhvillim vjen në një moment kur Lidhja Demokratike e Kosovës, nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, po peshon pozicionin e saj në raport me mbarëvajtjen e institucioneve dhe shmangien e një cikli të ri të zgjedhjeve të parakohshme. Edhe pse deri më tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar për pranimin e këtyre pikave, takimet e nivelit të lartë gjatë ditëve në vijim pritet të jenë përcaktuese për fatin e legjislaturës dhe tejkalimin e ngërçit politik.(INA)


