Close Menu
Press OnlinePress Online
  • BALLINA
  • MAQEDONI
  • EKONOMI
  • KOSOVË
  • SHQIPËRI
  • GLOBI
  • OPINIONE
  • SPORT
  • SHOWBIZ
  • LIFESTYLE
  • TEKNOLOGJI
Më të rejat

Sejdiu: Problemi nuk janë anëtarët e BDI-së, por një udhëheqësi që nuk po e kupton se koha e saj ka kaluar

20 Nëntor 2026

Dimovski: Nuk do të ketë zgjedhje, koalicioni qeveritar është stabil

20 Nëntor 2026

Mexhiti: Çairi bëhet pikë takimi e studentëve shqiptarë përmes Universiadës Mbarëkombëtare “Çair 2026”

20 Nëntor 2026
Press OnlinePress Online
  • IMPRESUM
  • MARKETING
  • KONTAKT
24.2° C Shkup ▼
Facebook Instagram YouTube TikTok
  • BALLINA
  • MAQEDONI
  • EKONOMI
  • KOSOVË
  • SHQIPËRI
  • GLOBI
  • OPINIONE
  • SPORT
  • SHOWBIZ
  • LIFESTYLE
  • TEKNOLOGJI
Press OnlinePress Online

A mund të detyrohet Kosova të zgjedhë mes SHBA-së dhe BE-së?

Press Online5 Prill 2026 GLOBI
Facebook LinkedIn WhatsApp Email Twitter Copy Link

Për vite me radhë, Kosova mbështetej në një Perëndim të bashkuar, për të shtyrë përpara shtetndërtimin dhe integrimin e saj ndërkombëtar.

Tani, kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shfaqin gjithnjë e më shumë dallime në prioritetet dhe qasjet e tyre, kjo mbështetje nuk duket më aq e koordinuar – duke e vendosur Kosovën përballë sfidave të reja politike dhe strategjike.

Javën e kaluar u mbushën plot 27 vjet nga ndërhyrja e NATO-s që ndali dhunën e forcave serbe në Kosovë dhe ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë së saj.

Vendimi, atëkohë, ishte i bashkërenduar nga të gjithë aleatët dhe konfirmonte angazhimin e tyre për të ndaluar gjakderdhjen dhe spastrimin etnik.

“Sot, ne dhe 18 aleatët tanë të NATO-s u dakorduam të bëjmë atë që thamë se do ta bëjmë, atë që duhet ta bëjmë për të rikthyer paqen”, tha më 24 mars 1999 presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clintron.

Që nga ajo kohë, Kosova ka konsoliduar pavarësinë e saj. Me sfidat dhe sukseset e veta, është njohur ndërkombëtarisht, është pranuar në organizata të ndryshme dhe ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit euro-atlantik – të gjitha falë mbështetjes së vazhdueshme të aleatëve perëndimorë.

Por, rruga drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO mbetet e gjatë dhe e lidhur ngushtë me Perëndimin që sot është ndryshe – i përçarë dhe i paqartë në qëndrime.

Tensionet mes SHBA-së në njërën anë dhe Evropës në anën tjetër kanë kulmuar me luftën në Iran, por, në fakt, kanë nisur të rriten që nga fillimi i mandatit të dytë të presidentit amerikan, Donald Trump, për një varg çështjesh – nisur nga tregtia deri tek ambiciet e tij për territorin autonom të Danimarkës, Grenlandën.

Në një nga paralajmërimet më të forta të bëra këtë javë, Trump kërcënoi se mund ta tërheqë SHBA-në nga NATO-ja, pas refuzimit të aleatëve evropianë për të dërguar anije për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit, pranë Iranit.

Paraprakisht, ai e përshkroi aleancën si “tigër prej letre”, që nuk i jep mbështetje SHBA-së.

“Do ta them publikisht, jemi shumë të zhgënjyer me NATO-n, sepse NATO-ja nuk ka bërë asgjë… Më e rëndësishmja është se ne u vijmë në ndihmë atyre, por ata nuk na vijnë kurrë neve”, tha Trump.

Megjithëse kishte paralajmëruar se do ta trajtonte këtë temë edhe në fjalimin drejtuar kombit, më 1 prill, ai e shmangu atë.

Një ditë më vonë, bashkëkryesuesit e Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senatin amerikan thanë se Kongresi nuk do të lejojë tërheqjen e Uashingtonit nga aleanca ushtarake perëndimore.

Në anën tjetër të Atlantikut, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pranoi se marrëdhënia mes dy poleve është “e komplikuar”.

Në një intervistë dhënë gazetës Financial Times muajin e kaluar, ajo tha se Shtetet e Bashkuara “duan ta përçajnë Evropën”.

“Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se SHBA-ja e ka bërë shumë të qartë se dëshiron ta përçajë Evropën. Ajo nuk e pëlqen Bashkimin Evropian”, tha Kallas.

Deklarata u bë ato ditë kur administrata Trump nisi hetime tregtare ndaj Bashkimit Evropian dhe disa vendeve të tjera, duke i akuzuar për praktika të padrejta tregtare, dhe për pasojë, këto vende mund të përballen me tarifa të reja në muajt në vijim.

“Vendet e huaja që na kanë mashtruar për vite me radhë, janë në ekstazë, janë shumë të lumtura, dhe po vallëzojnë në rrugë, por nuk do të vallëzojnë edhe për shumë kohë. Për këtë, ju siguroj”, tha Trump.

Jehu i kësaj përçarjeje ndihet larg, dhe Kosova shfaqet si një partnere veçanërisht e brishtë dhe e ekspozuar.

Një studim i fundit i Grupit për Studime Ligjore dhe Politike në Prishtinë identifikoi pesë rreziqe kryesore që i kanosen Kosovës nga kjo situatë – nisur ndërhyrja në rritje në punët e brendshme të Kosovës, cenueshmëria më e lartë ndaj kërcënimeve të jashtme, erozioni i parimit të sovranitetit, forcimi i autoritarizmit, deri te pengesa në procesin e integrimit euro-atlantik.

Autori i studimit, Alejandro Esteso Perez, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Kosova është më e cenueshme se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për faktin se statusi i saj i kontestuar e vendos atë në një pozicion të pafavorshëm ndërkombëtar, duke mos i lejuar të ketë njohje të plotë, pjesëmarrje të barabartë në institucionet ndërkombëtare dhe vend në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Këto pesë rreziqe duhet të kuptohen si tërësi. Të gjitha kontribuojnë në pozicionin aktual dhe të ardhshëm të Kosovës nëpërmjet dimensioneve të ndryshme dhe në shkallë të ndryshme. Ekzistojnë rreziqe brenda vendit, rajonit dhe ndërkombëtare, të cilat nxiten nga aktorë të ndryshëm, por të gjitha ndikojnë në pozicionin e Kosovës në afat të shkurtër dhe të mesëm”, thotë Perez.

Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, pajtohet se siguria dhe e ardhmja politike e Kosovës janë gjithnjë e më të cenueshme.

Ndërsa shpesh flitet për skenarë konkretë – si tërheqja e trupave amerikane nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR – Vogel e sheh rrezikun kryesor diku tjetër: te pasiguria.

“Jetojmë në një mjedis gjeopolitik tepër të vështirë: nuk kemi vetëm luftën në Iran, por edhe atë në Ukrainë. Po ashtu, Gaza mbetet e pazgjidhur, tani ka luftë edhe në Liban dhe çështje të tjera të ngjashme. Të gjitha këto e shpërqendrojnë vëmendjen nga një analizë strategjike për Ballkanin. Dhe me keqardhje duhet të them se Kosova ka rënë thuajse në fund të listës së prioriteteve për evropianët”, thotë Vogel për Exposenë.

Vogel paralajmëron se çdo ndryshim i mundshëm në praninë ndërkombëtare në Kosovë mund të provokojë veprime më agresive nga aktorë të ndryshëm.

Ai nuk e përjashton as skenarin e incidenteve të lokalizuara, që mund të përshkallëzohen në një zinxhir reagimesh, duke theksuar se BE-ja nuk është e gatshme të përballet me Serbinë, e cila vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës.

“Pra, në rast se SHBA-ja tërheq trupat nga KFOR-i, kjo mund të ketë pasoja shumë serioze. Jo në kuptimin e një rikthimi të menjëhershëm të dhunës, e lëre më të luftës… edhe pse, sinqerisht, në këto kohë dhe kushte kaotike, nuk do të përjashtoja asgjë”, thotë Vogel.

Me Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të bëjnë përparim konkret drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe kanë theksuar nevojën për mbështetjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të bazuar në njohjen reciproke.

Megjithatë, dy vendet nuk kanë zhvilluar asnjë takim të nivelit të lartë qysh në shtator të vitit 2023, ndonëse në BE kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për ta ndërmjetësuar një të tillë.

Vogel vlerëson se qëllimi i deklaruar përfundimtar i dialogut – njohja reciproke – është zbehur ndjeshëm në Bruksel, dhe shton se BE-ja nuk ka treguar interes real për ta avancuar Kosovën në procesin e anëtarësimit, duke mbetur i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati.

Perez, në anën tjetër, thotë se është e vështirë të bëhen parashikime të sakta për dialogun me Serbinë, integrimin në BE dhe çështjet e sigurisë, për shkak të paparashikueshmërisë gjeopolitike në Uashington dhe paqëndrueshmërisë së zhvillimeve globale.

“Kriza aktuale energjetike, që ka pasuar sulmin e SHBA-së dhe Izraelit në Iran, është një zhvillim i ri dhe fatkeq, që në masë të madhe nuk ka mundur të parashikohet. Kjo situatë po e detyron Bashkimin Evropian që ta zhvendosë vëmendjen e tij diplomatike larg zgjerimit dhe Ballkanit Perëndimor, duke rrezikuar që Kosova të mbetet e neglizhuar”, thotë Perez.

I pyetur nëse Kosova duhet të zgjedhë anë mes SHBA-së dhe BE-së, Perez thekson se vendi duhet të tregojë koherencë mes vlerave demokratike që promovon dhe veprimeve të tij në politikën e jashtme.

Sipas tij, rreshtimi përkrah regjimeve problematike në iniciativa ndërkombëtare, krijon perceptimin e një nënshtrimi të pakushtëzuar, më shumë sesa të një sovraniteti të mirëfilltë, duke e zbehur imazhin e Kosovës si shtet me ambicie demokratizuese.

Kosova i është bashkuar Bordit të Paqes për Gazën – një nismë kjo e ndërmarrë nga presidenti Trump, ku përfshihen edhe vende me prirje autoritare, si Azerbajxhani dhe Uzbekistani.

Fuqitë kryesore evropiane – përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën – kanë refuzuar t’i bashkohen këtij projekti dhe kjo, sipas Vogelit, tregon se Kosova, në njëfarë mënyre, ka marrë anë.

“Kjo është diçka që BE-së nuk i pëlqen. Ajo nuk e sheh me sy të mirë që një vend potencial kandidat të rreshtohet aq hapur me SHBA-në në një veprim që shumëkush e konsideron si një organizim të mundshëm rival të Kombeve të Bashkuara”, thotë Vogel.

Megjithatë, ai e konsideron këtë vendim si një lëvizje pragmatike dhe jo ideologjike. Përballë mungesës së perspektivës reale për anëtarësim në BE, refuzimit të njohjes nga pesë vende dhe qëndrimeve shpesh ndëshkuese të bllokut, ai thotë se bashkimi i Kosovës me Bordin e Paqes shërben si mënyrë për të qëndruar pranë SHBA-së dhe si mburojë kundër ndryshimeve të papritura në politikën ndërkombëtare.

Por, pavarësisht kësaj, të ardhmen afatgjate të Kosovës, Vogel e sheh brenda Evropës, kryesisht përmes strukturave panevropiane dhe marrëdhënieve të forta dypalëshe me shtetet kyç të BE-së.

Për autoritetet në Kosovë, këto aleanca me Perëndimin mbeten pa alternativë, por mungesa e koordinimit transatlantik, sipas analistëve, e ka kufizuar dukshëm hapësirën e tyre për manovrim.

Ata theksojnë se e ardhmja e vendit nuk varet vetëm nga veprimet e brendshme, por në një masë të madhe edhe nga vendimet që merren në qendrat kryesore të fuqisë në Perëndim.

Dhe pikërisht aty, aktualisht, mungon qartësia./rel

Previous ArticlePashkët katolike, Berisha uron besimtarët: Vitin tjetër ta festojmë pa këtë të keqe të madhe që i ka rënë hise Shqipërisë
Next Article Xhaka e bën lajm botëror Kosovën me këtë veprim

Lajme të ngjashme

Hungaria pritet të heqë veton, Ukrainës i hapet rruga drejt BE-së

20 Nëntor 2026 GLOBI

BE-ja dhe BM-ja bien dakord për një plan bashkëpunimi më të ngushtë

20 Nëntor 2026 GLOBI

SHBA – Kreu i sigurisë kibernetike largohet nga detyra pas problemeve teknike

20 Nëntor 2026 GLOBI

Gjermani – Mijëra të rinj në protesta kundër kostos së lartë të jetesës dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak

20 Nëntor 2026 GLOBI

Kushner takohet me kancelarin Merz në Berlin: Po përgatitemi për raundin e ardhshëm të negociatave!

19 Nëntor 2026 GLOBI

Sulmet ruse në Kiev, dëmtohen ambasadat e Holandës dhe Austrisë! Ministri i Jashtëm ukrainas: Putin është terrorist, duhet trajtuar si i tillë!

19 Nëntor 2026 GLOBI
Lajmet e fundit

Sejdiu: Problemi nuk janë anëtarët e BDI-së, por një udhëheqësi që nuk po e kupton se koha e saj ka kaluar

Press Online20 Nëntor 2026 MAQEDONI

Kryetari i Komunës së Zhelinës nga radhët e VLEN-it, Blerim Sejdiu, ka…

Dimovski: Nuk do të ketë zgjedhje, koalicioni qeveritar është stabil

Press Online20 Nëntor 2026 MAQEDONI

Do të ishte gabim i madh nëse vendoset të shkohet në zgjedhje…

Mexhiti: Çairi bëhet pikë takimi e studentëve shqiptarë përmes Universiadës Mbarëkombëtare “Çair 2026”

Press Online20 Nëntor 2026 MAQEDONI

Në palestrën sportive “Shaban Tërstena” në Çair, sot nisi Universiada Mbarëkombëtare “Çair…

Sulejmani dhe ambasadori i Kosovës, Qehaja, në manifestimin për Ditën e Alfabetit Shqip në Butel: Gjuha shqipe është një nga vlerat më të çmuara të identitetit tonë

Press Online20 Nëntor 2026 MAQEDONI

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, së bashku me Ambasadorin e…

Klekovski: Kemi nevojë për një sistem më të organizuar dhe me përgjegjësi të qarta

Press Online20 Nëntor 2026 MAQEDONI

Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski njoftoi se së bashku me përfaqësuesin e…

© 2018 - 2026 PressOnline.al
  • IMPRESUM
  • MARKETING
  • KONTAKT

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.