Pagat po rriten më shpejt se produktiviteti – rrezik për stabilitetin ekonomik

featured
Press Online
18 Shkurt 2026, 10:19

Instituti për politika ekonomike Finance Think ka publikuar një analizë ku shqyrton ndikimin e rritjes së pagës minimale mbi inflacionin, produktivitetin dhe tregun e punës, duke theksuar se rritja është e justifikuar nga aspekti social, por duhet të mbështetet në themele të qëndrueshme ekonomike.

“Çështja kyçe nuk është nëse paga minimale duhet të rritet, por me çfarë ritmi dhe mbi çfarë bazash ekonomike”, thuhet në analizë, transmeton PressOnline.al.

Sipas Finance Think, një rritje joproporcionale dhe e konsiderueshme e pagave – pa rritje paralele të vlerës së re të krijuar në ekonomi – bart disa rreziqe serioze.

Presioni mbi çmimet dhe inflacioni

Instituti vlerëson se inflacioni në janar është ulur në 3.2% në nivel vjetor, nga 4.1% në dhjetor, por mbetet mbi nivelin që konsiderohet stabil dhe mbi normën e Eurozonës prej 1.7%. Duke pasur parasysh kursin fiks të denarit ndaj euros, kjo diferencë paraqet një referencë të rëndësishme makroekonomike.

Sipas analizës, inflacioni i qëndrueshëm në vend është rezultat i disa faktorëve, ndër të cilët më i rëndësishmi është rritja e të ardhurave në ekonomi, si pasojë e rritjes reale të pagave në vitet e fundit dhe mungesës kronike të fuqisë punëtore në tregun e punës.

Finance Think thekson se në vitin 2024 krahasuar me 2017, paga mesatare është rritur për 79.9%, paga minimale për 88%, ndërsa produktiviteti vetëm për 49.8% (rritje nominale). “Kjo divergjencë midis të ardhurave dhe produktivitetit është makroekonomikisht e paqëndrueshme dhe përkthehet drejtpërdrejt në presion mbi çmimet”, thuhet në dokument, transmeton PressOnline.al.

Instituti shton se inflacioni aktual nuk mund të shpjegohet thjesht me “lakminë e kompanive”, pasi fitimet e ndërmarrjeve në përgjithësi janë rritur më ngadalë se të ardhurat e popullsisë, me përjashtim të vitit 2022, kur kriza globale ndikoi në rritje disproporcionale të fitimeve.

Rreziku për konsolidimin fiskal

Një tjetër rrezik i theksuar është ndikimi mbi konsolidimin fiskal. Deficiti buxhetor mbetet mbi 3% të BPV-së, ndërsa borxhi publik pritet të kalojë pragun prej 60% të BPV-së gjatë vitit 2026.

Sipas Finance Think, subvencionimi shtetëror i pagave – siç ishte masa për subvencionimin e kontributeve në periudhën 2019-2022 – jo vetëm që e vështirëson uljen e presioneve inflacioniste, por përbën edhe barrë për të gjithë tatimpaguesit. “Marrja e detyrimeve për subvencionim shtetëror të pagave duhet të përjashtohet plotësisht si mundësi”, thekson instituti, transmeton PressOnline.al.

Rreziku nga rritja e punësimit informal

Sa i përket tregut të punës, analiza vlerëson se një rritje e madhe e pagës minimale nuk ka gjasa të rrisë papunësinë, për shkak të dinamikës aktuale të tregut dhe dëshmive empirike të mëhershme.

Megjithatë, rreziku qëndron në deformalizimin ose gjysmë-formalizimin e venE madhee të punës – përmes mungesës së kontratave të rregullta ose deklarimit të pjesshëm të orëve të punës dhe pagesës së pjesës tjetër “në zarf”. Ky trend, sipas të dhënave të fundit, është në rritje dhe dëmton si mbrojtjen e punëtorëve, ashtu edhe bazën e të ardhurave të shtetit.

Rekomandimi: Dialog social me bazë në prova

Në përfundim, Finance Think thekson se rritja e pagës minimale është e arsyeshme nga aspekti social, por duhet të harmonizohet me rritjen e produktivitetit dhe kapacitetin real të ekonomisë.

Instituti rekomandon që Qeveria të përfshihet aktivisht si palë e tretë dhe ndërmjetësuese në dialogun social midis punëtorëve dhe punëdhënësve, me qasje të argumentuar dhe të bazuar në të dhëna.

“Pranimi i gjendjes faktike nga të gjithë pjesëmarrësit në dialogun social është kusht themelor për ruajtjen e standardit jetësor të punëtorëve dhe stabilitetit makroekonomik”, thuhet në qëndrimin e institutit, transmeton PressOnline.al.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter

Sohbet sistemi şu anda aktif değil. Lütfen daha sonra tekrar deneyin.