Një tjetër tragjedi e paralajmëruar ndodhi në Veles, ku 31-vjeçarja Rosica Koceva dhe babai i saj u vranë brutalisht nga ish-partneri i saj Ilija Stefanovski, pavarësisht se ajo kishte bërë me dhjetëra denoncime për dhunë, kërcënime dhe përndjekje. Ky rast ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut dhe ka nxitur reagime të ashpra nga organizatat për të drejtat e grave, shoqëria civile dhe partitë politike, shkruan PressOnline.al
Ato kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe reforma urgjente në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë.
Sipas të dhënave të siguruara nga PressOnline.al, Rosica kishte raportuar vazhdimisht sjelljen kërcënuese të Stefanovskit që nga viti 2024. Ai e përndiqte, e kërcënonte dhe shpërndante materiale private, duke shkelur vazhdimisht masat ndaluese që i ishin vendosur nga gjykata.
Megjithatë, institucionet që duhet ta mbronin, si policia, prokuroria dhe gjykatat, qëndruan pasive. Pavarësisht provave të shumta, ai nuk u arrestua, ndërsa si dënim mori vetëm një masë të butë – një dënim me kusht. Rosica kishte paralajmëruar se ai i kishte thënë “ose do jesh e imja, ose do jesh e vdekur”. Gjashtë ditë pas një denoncimi të tillë në Prokurorinë e Velesit, kërcënimi u bë realitet.
Tragjedia ndodhi më 15 shtator në banesën e babait të saj në Veles. Sipas policisë, Rosica dhe partneri i saj i ri kishin shkuar në shtëpi sepse babai i saj nuk ishte përgjigjur në telefon. Në momentin kur ajo hapi derën, Stefanovski sulmoi me thikë fillimisht babain e saj dhe më pas atë vetë. Më pas tentoi të vetëvritej. Të tre u gjetën të pajetë.
Pas ngjarjes, reagimet ishin të menjëhershme. LSDM, partia opozitare, kërkoi dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe shkarkimin e udhëheqjes së MPB-së në Veles, duke theksuar se Rosica kishte raportuar mbi 70 herë dhe se institucionet kishin dështuar të veprojnë. Ata thanë se ky është një dështim total i sistemit dhe se kur shteti nuk arrin të mbrojë jetën e qytetarëve, duhet të ketë përgjegjësi konkrete dhe ndryshim rrënjësor.
Ndërkohë, partia “E Majta” reagoi duke theksuar se femicidet nuk janë drama personale, por pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi të dështuar. Ata akuzuan MPB-në për vite të tëra neglizhencë ndaj denoncimeve të grave dhe mungesë totale të mekanizmave për parandalim. Sipas tyre, shteti nuk e sheh sigurinë e grave si përparësi, dhe praktika aktuale e trajtimit të dhunës gjinore dërgon një mesazh të qartë se viktimat janë të vetmuara dhe të pambrojtura. Ata kërkuan ndryshimin e Kodit Penal në mënyrë që rastet e dhunës fizike ndaj grave dhe dhunës në familje të ndiqen penalisht nga shteti, pa qenë e nevojshme nisma nga vetë viktima.
Organizatat për të drejtat e grave si Platforma për Barazi Gjinore kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për të identifikuar të gjitha hallkat e sistemit që kanë dështuar të veprojnë, ndëshkim disiplinor dhe ligjor për përgjegjësit dhe rritje të kapaciteteve në MPB dhe qendrat për punë sociale për të bërë vlerësime efektive të rrezikut.
Ky rast, që i ka tronditur të gjithë, sipas aktivistëve është pasojë e një kulture institucionale që nuk i merr seriozisht denoncimet e grave, hesht përballë dhunës dhe vazhdon të lejojë që dhunuesit të jetojnë të lirë, ndërsa viktimat kërkojnë ndihmë që nuk vjen kurrë. Me moton “Asnjë më shumë”, pritet të organizohen protesta në ditët në vijim për të kërkuar drejtësi për Rosicën dhe ndryshim rrënjësor të sistemit.(PressOnline.al)


