Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj debatit për ALTA Bankën, duke akuzuar eksponentët e VLEN-it për amnezi politike selektive.
Në postimin e tij, Taravari shkruan se ALTA Banka hyri zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut në shtator të vitit 2025, në një kohë kur pjesë e Qeverisë ishte edhe VLEN-i, i cili sipas tij vazhdon të jetë pjesë e Qeverisë edhe sot.
Sipas Taravarit, Aleanca për Shqiptarët kishte paralajmëruar me kohë se përmes kësaj banke mund të zgjerohej ndikimi i botës serbe në Maqedoninë e Veriut, kësaj radhe edhe në sferën ekonomike dhe financiare.
“Paralajmërimet tona i mbështetëm edhe në shqetësimet e ngritura në raportin e Komisionit Europian për ndikimin e botës serbe në vend. Fatkeqësisht, askush nuk deshi t’i dëgjonte vërejtjet tona”, shkruan Taravari.
Ai shton se nëse paralajmërimet e ASH-së do të merreshin seriozisht, sot nuk do të merreshin me trajtimin e pasojave, por do të kishin mundësi ta parandalonin problemin që në zanafillë.
Çfarë ka ndodhur me ALTA Bankën në Serbi?
Banka Kombëtare e Serbisë i revokoi licencën ALTA Bankës, e bllokuar që nga 30 tetori, për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm financiar. Në Serbi, qytetarët po presin në radhë për të tërhequr paratë, informon PressOnline.al.
Në Maqedoninë e Veriut, e njëjta bankë hyri me lejen që ia dha më 10 shtator 2025 Bujare Abazi, kryetare e Komisionit të Letrave me Vlerë, duke ia mundësuar kësaj banke që të blejë aksione.
Kush është Bujare Abazi?
Bujare Abazi është ish-nënkryetare e Aleancës për Shqiptarët. Ajo është emëruar drejtore e Postës së Maqedonisë së Veriut nga vetë Arben Taravari, dhe më pas është propozuar prej tij për kryetare të Komisionit të Letrave me Vlerë.
Dhe ku është sot Taravari? Në krah të Ali Ahmetit. ASH e Taravarit sot është partnere e koalicionit të BDI-së.
Kallëzimi penal për Postën
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të transmetuar nga Portalb.mk, SPB Shkup, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “kryerjes së pakujdesshme të detyrës”, sipas nenit 353, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë, ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Publike kompetente kundër V.S. dhe B.A., ish-drejtorëve të përgjithshëm të Postës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas gjetjeve nga veprimet e gjera hetimore të ndërmarra, të pandehurit nuk kanë ushtruar mbikëqyrjen e duhur mbi punën e menaxherëve të tyre gjatë vitit 2023, duke lejuar që të ndërmerren veprime në kundërshtim me nenin 40, paragrafi 6 i Ligjit për Prokurimin Publik.
Në këtë mënyrë, sipas MPB-së, ata praktikisht mundësuan kryerjen e prokurimeve pa procedurë prokurimi publik në shumën totale prej 56,546 eurosh, që përfaqëson tejkalimin e pragut të parashikuar, dhe lejimin e prokurimeve të kryera pa procedurë, në shumën totale prej 32,546 eurosh. Një shumë për të cilën, sipas MPB-së, të pandehurit dëmtuan buxhetin e SHA Posta e Maqedonisë së Veriut.
Sipas inicialeve të publikuara nga MPB, dyshimi për veprën penale bie mbi Vasko Stefanov dhe Bujare Abazi, ish-drejtorë të përgjithshëm të Postës së Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2023.
Abazi, pas shkarkimit nga pozita e drejtoreshës së Postës, në maj të këtij viti u zgjodh anëtare dhe kryetare e Komisionit për Letrat me Vlerë, shkruan PressOnline.al.


