Samiti i nëntë i Komunitetit Politik Evropian ka mbledhur dhjetëra liderë shtetesh dhe qeverish për të diskutuar mbi demokracinë dhe ligjin, ekonominë, sigurinë evropiane dhe kërcënimet e kohës. Delegacioni ynë i udhëhequr nga shefja e shtetit, Siljanovska Davkova, e konsideron takimin të rëndësishëm për vendin tonë.
“Do të diskutohet rreth shumë temave, siç janë: bashkëpunimi rajonal, bashkëpunimi me të gjitha shtetet anëtare të Unionit Evropian. Do të bisedohet edhe për ndërlidhjen e shteteve, si në aspektin e transportit, po edhe të digjitalizimit, që e konsiderojmë si një ndër faktorët e rëndësishëm në rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit të kompanive dhe të qytetarëve. Do të diskutohet edhe bashkëpunimi kundër sulmeve hibride.”, – deklaroi zëvendëskryeministri, Bekim Sali, përcjell PressOnline.al
Delegacioni ynë atje, samitin do të shfrytëzojë për të diskutuar edhe për procesin eurintegrues të vendit tonë. Nga Dablini, ministri Mucunski për TVM1 tha se po punohet në rritjen e dialogut me Bullgarinë për kontestin, duke theksuar se pozicionet mbeten të qarta.
“Punojmë në dialog dhe është e natyrshme që të punojmë në dialog të tillë, dhe po ashtu kemi thënë se nuk mund të premtojmë që brenda natës të kemi ndonjë zgjidhje magjike të një kontesti që është shumë kompleks dhe joracional me kohën kur jetojmë. Ne kemi pozicione të qartë dhe duke i afirmuar këto pozicione punojmë në dialog. Ekziston mundësia që të takohemi me kolegen time. Do të kemi dy ngjarje në periudhën e muajit të ardhshëm ku me gjasë do të jemi të dy të pranishëm, pra në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të NATO-s dhe mbledhja e ministrave të Jashtëm të OSBE-së.”, – theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Më 13 nëntor në Dablin mbahet edhe takimi joformal i liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian i kryesuar nga kryetari i këshillit Evropian, Antonio Kosta.

