Ashpërsohet retorika parazgjedhore dhe akuzat e ndërsjella para nisjes zyrtare të fushatës

featured
Press Online
27 Gusht 2025, 09:24

Retorika politike po ashpërsohet ndërsa partitë po nxehen për fushatën zyrtare zgjedhore. Vetëm një ditë pasi kryeparlamentari Gashi paralajmëroi miratimin e një Deklarate të Kuvendit për zgjedhje të lira dhe demokratike, vijuan mesazhet “e nxehta” nga “kuzhinat partiake”.

Në bllokun e partive politike shqiptare, pati akuza për krim financiar dhe thirrje për përgjegjësi. Kandidatët për Çair u përplasën rreth raportit të Revizionit Shtetëror, për Qendrën Sportive “Boris Trajkovski” dhe organizimin e Samitit të OSBE-së në Shkup në vitin 2023, përcjell PressOnline.al.

“Për Osmanin nuk ka asgjë të re, kudo që ka qenë ka abuzuar. Kur ishte ministër i Shëndetësisë mori epitetin ‘pacient’. Si ministër i Punëve të Jashtme – mund ta bëjmë pyetje shpërblyese si është e mundur që për një ditë të shpenzohen një milion euro për makina me qira në një vend të vogël si Maqedonia”, deklaroi Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Nga ana tjetër, Bujar Osmani nga BDI e mohoi kategorikisht këtë akuzë:
“As që ka pasur ndonjë revizion për OSBE-në. Revizion ka pasur vetëm për ‘Boris Trajkovskin’, për të parë si e kanë pranuar pajisjen. Kjo është një çështje tërësisht e shpikur që përsëritet vazhdimisht, sepse janë të frikësuar nga sondazhet. Askush nuk mund të më akuzojë për korrupsion gjatë gjithë karrierës sime politike”, tha Osmani.

Në kampin politik maqedonas, fusha e përplasjeve ishte ekonomia. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, përmes rrjeteve sociale akuzoi qeverinë se po e çon vendin drejt varfërisë:

“Para një prej muajve më të vështirë të vitit, qytetarët përballen me realitetin e ashpër ekonomik – gjithçka është shtrenjtuar, ndërsa pagat stagnojnë. VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski me vetëdije i shtyjnë qytetarët drejt varfërisë. Maqedonia po shndërrohet në një vend të varfërisë dhe pasigurisë”, shkroi Filipçe.

Menjëherë pas kësaj reagoi VMRO-DPMNE:

“Kjo është matrica klasike e gënjeshtrave të LSDM-së. Ndërsa populli mbijetonte, ata blinin jahtet e tyre dhe planifikonin një jetë luksoze me pasurinë e vjedhur nga populli. Do ta pyesnim Filipçen: kur luan kaq shumë rolin e të shqetësuarit për shtetin, pse nuk u thotë atyre 6% mbështetësve të tij sa kushton një ditë lundrim me jahtin?”, u shprehën nga VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, vazhdojnë afatet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Verifikimi i listës zgjedhore është në proces dhe do të zgjasë deri më 11 shtator. Fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator në mesnatë dhe do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter