Një zyrtar i lartë ukrainas ka akuzuar presidentin amerikan, Donald Trump, se me propozimin për zëvendësimin e armëpushimit me një “marrëveshje paqeje”, ai në fakt po përkrah qëndrimin e presidentit rus, Vladimir Putin.
Oleksandr Merezhko, kryetar i Komitetit për Çështjet e Jashtme në parlamentin ukrainas, deklaroi për Reuters se Trump “fatkeqësisht ka marrë anën e Putinit dhe kjo ishte kërkesa e tij.”
Sipas Merezhkos, ideja e një marrëveshjeje paqeje që përjashton një armëpushim paraprak është problematike, pasi sipas konceptit të Putinit, ajo nënkupton:
Pengimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, -Pranimin e kërkesave për “denazifikim” dhe “demilitarizim”, -Zbatimin e një statusi të veçantë për gjuhën ruse dhe Kishën Ortodokse Ruse në Ukrainë.
“Putini e interpreton këtë ‘marrëveshje paqeje’ si një kapitullim diplomatik të Ukrainës ndaj kërkesave të Kremlinit”, tha Merezhko.
Ndërkohë, presidenti Trump ka deklaruar se “një marrëveshje paqeje mund t’i japë fund luftës pa pasur nevojë për një armëpushim të mëparshëm”.
Trump pritet të takohet të hënën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Zyrën Ovale, ku pritet të ndajë më shumë detaje nga diskutimi i tij me Vladimir Putinin gjatë takimit të fundit në Alaska.
/vizionplus.tv


