Këngëtari amerikan Alex Warren ka përjetuar një moment të sikletshëm gjatë koncertit të tij në Melbourne, pasi u rrëzua në mënyrë të papritur teksa tentonte të kthehej në skenë.
25-vjeçari po performonte të premten mbrëma në Rod Laver Arena, si pjesë e turneut të tij botëror “Finding Family on the Road”, kur vendosi të afrohej me fansat.

Në një moment, Warren u fut mes audiencës dhe tentoi të kapërcente një gardh për t’u rikthyer në skenë. Ai arriti të ngrihej në këmbë, por pak më vonë u pengua në disa pajisje të produksionit dhe u rrëzua keq.
Momenti shkaktoi reagime të menjëhershme nga publiku, ndërsa i gjithë incidenti u filmua nga të pranishmit. Sipas raportimeve, Warren nuk pësoi ndonjë dëmtim serioz.

Në vend që ta merrte seriozisht incidentin, këngëtari vendosi të bënte shaka me veten.
Warren publikoi videon e rrëzimit në Instagram dhe e shoqëroi me fjalët:
Më thanë të thyeja një këmbë para shfaqjes.
Shprehja “break a leg” përdoret në anglisht për t’u uruar artistëve fat të mirë para një performance, ndaj këngëtari e përdori me humor për t’iu referuar rrëzimit të tij.

Edhe fansat iu bashkuan humorit në komentet e videos, ndërsa pamjet kanë marrë më shumë se një milion pëlqime.

Warren aktualisht është në turneun “Finding Family on the Road”, i cili shënon turneun e tij të dytë si artist kryesor dhe turneun e parë të tij në arena.


