Zgjedhjet e dyfishta – më shumë risk sesa përfitim

featured
Press Online
21 Qershor 2025, 10:05

Në një deklaratë për mediat, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shprehu vlerësimin se për partinë që ai drejton do të ishte më e kapshme dhe më e leverdishme që zgjedhjet parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale. Kjo deklaratë, megjithëse e sinqertë dhe e justifikueshme nga pikëpamja taktike e një partie politike që synon të ruajë momentumin zgjedhor, nuk përbën një argument të fortë në favor të dobisë së përgjithshme publike që do të sillte mbajtja e zgjedhjeve të dyfishta, shkruan PressOnline.al

Kujdesi që Ahmeti tregon për organizimin e zgjedhjeve në një formë që i përshtatet më shumë partisë së tij është i kuptueshëm. Por politika institucionale nuk duhet të udhëhiqet nga interesi momental i një subjekti politik, sado të fuqishëm. Zgjedhjet janë një proces publik, jo partiak, dhe duhet të strukturohen në atë mënyrë që i shërbejnë qytetarëve dhe funksionimit efikas të shtetit, jo thjesht kalkulimeve elektorale.

Mbajtja paralelisht e dy palë zgjedhjeve do të krijonte një mbivendosje problematike të temave dhe fushatave. Kandidatët për kryetarë komunash do të mbeteshin në hije nga liderët partiakë të nivelit qendror, ndërsa qytetarët do të përballeshin me një informacion të stërngarkuar dhe të pashqyrtueshëm, duke rrezikuar një votim emocional e jo të informuar. Kjo do të ulte cilësinë e zgjedhjes si në nivel lokal, ashtu edhe në atë kombëtar, shkruan PressOnline.al

Nëse fushata zgjedhore bashkohet në një të vetme për të dyja nivelet e pushtetit, ekziston një rrezik i madh që lokalet të shihen si "zgjedhje të dorës së dytë". Kjo minon konceptin e decentralizimit dhe fuqizimit të pushtetit vendor, për të cilin vetë BDI është shprehur në të kaluarën si mbështetës.

Edhe në vendet me përvojë të gjatë demokratike, organizimi i zgjedhjeve të dyfishta është një sfidë logjistike, financiare dhe administrative. Në kushtet e Maqedonisë së Veriut, me një administratë të politizuar dhe një infrastrukturë zgjedhore të brishtë, ky do të ishte një rrezik i panevojshëm, që mund të krijojë kaos, mosbesim dhe krizë të mundshme legjitimiteti.

Zgjedhjet lokale kanë ciklin e tyre të rregullt, po ashtu edhe ato parlamentare. Shtyrja artificiale apo përshpejtimi i njërës për t’u përputhur me tjetrën, vetëm për arsye taktike elektorale, dëmton stabilitetin institucional. Për një vend që aspiron integrimin europian, respektimi i kalendarit dhe i logjikës funksionale të institucioneve është shumë më i rëndësishëm sesa përfitimi afatshkurtër i ndonjë partie.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter