Kryerevizori shtetëror Maksim Acevski ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si komunat në Maqedoninë e Veriut po lidhin marrëveshje për partneritete publiko-private (PPP). Sipas tij, rreth 80% e këtyre marrëveshjeve janë bërë në nivel komunal ose nga ndërmarrje publike të themeluara nga komunat, gjë që ngre dyshime për mospërputhje dhe mungesë kontrolli institucional, informon PressOnline.al
Në raportin e fundit të publikuar për vitin 2024, thuhet se janë identifikuar 68 marrëveshje PPP të regjistruara zyrtarisht. Por Acevski paralajmëron se numri real mund të jetë më i madh, pasi nuk ekziston një regjistër elektronik që t’i mbledhë automatikisht këto marrëveshje. Sipas tij, shpeshherë subjektet nuk i dorëzojnë dokumentet përkatëse në Ministrinë përkatëse.
“Në 80 për qind të rasteve është konstatuar se ekziston vetëm një ofertues apo një partner privat, çka tregon për mungesë konkurrencë dhe rrezik nga abuzimi,” deklaroi Acevski. Ai theksoi gjithashtu se mungesa e transparencës ka rezultuar në humbje të shërbimeve cilësore për qytetarët dhe një kontribut të munguar për ekonominë dhe BPV-në e vendit.(PressOnline.al)



