Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje(LV), Mefail Bajqinovci ka akuzuar Bashkimin Evropian(BE) dhe qeveritë e kaluara të Kosovës se e kanë shndërruar veriun e vendit në çerdhe të krimit.
Ai ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të “politikave të stablokracisë në dëm të paqes”.
Sipas Bajqinovcit, hapja e Urës së Ibrit do të thotë zhvillim për vet serbët në veri.
“Pse argumenti i Stanos për Urën e Ibrit si çështje shpërthyese, nuk qëndron? Sepse janë pikërisht politikat e stabilokracisë në dëm të paqes, demokracisë e sovranitetit të shtetit të Kosovës, nga ana e BE-së dhe e ish-qeverive të Kosovës, që për vite me radhë, kanë shndërruar veriun e vendit në qerdhe të krimit të organizuar e të korrupsionit”.
Tutje ai ka thënë se “Nga gjendja e kriminalizuar në veri, veç soji i Radojçiqit dhe partnerëve të tij në biznes e në politikë, kanë qenë përfitues. Humbësit ishin të gjithë të tjerët por më së shumti, vet qytetarët serbë atje. Pra, hapja e Urës do të thotë perseptivë zhvillimore e ekonomike për vet serbet në radhë të parë”, ka shkruar deputeti i pozitës Mefail Bajqinovci në Facebook.





