Close Menu
Press OnlinePress Online
  • BALLINA
  • MAQEDONI
  • EKONOMI
  • KOSOVË
  • SHQIPËRI
  • GLOBI
  • OPINIONE
  • SPORT
  • SHOWBIZ
  • LIFESTYLE
  • TEKNOLOGJI
Më të rejat

Tregtia Kosovë–Shqipëri kalon 407 milionë euro, çfarë po eksporton më shumë Kosova

28 Nëntor 2026

Kasami uron 28 Nëntorin: Na bashkoftë gjithmonë dashuria për gjuhën, flamurin dhe kombin, pavarësisht kufijve

28 Nëntor 2026

Shiroka-Pula dhe Kurti urim për 28 Nëntorin: Flamuri na bashkon përtej kufijve shtetërorë

28 Nëntor 2026
Press OnlinePress Online
  • IMPRESUM
  • MARKETING
  • KONTAKT
24.2° C Shkup ▼
Facebook Instagram YouTube TikTok
  • BALLINA
  • MAQEDONI
  • EKONOMI
  • KOSOVË
  • SHQIPËRI
  • GLOBI
  • OPINIONE
  • SPORT
  • SHOWBIZ
  • LIFESTYLE
  • TEKNOLOGJI
Press OnlinePress Online

Shiroka-Pula dhe Kurti urim për 28 Nëntorin: Flamuri na bashkon përtej kufijve shtetërorë

Press Online28 Nëntor 2026 KOSOVË
Facebook LinkedIn WhatsApp Email Twitter Copy Link

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula dhe kryeministri Albin Kurti kanë përcjellë urimet e tyre për Shqipërinë me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë.

Shiroka-Pula shprehet se “28 Nëntori është dita kur historia, krenaria dhe identiteti ynë kombëtar marrin kuptim të veçantë. Më 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi dhe shpalli Shqipërinë të lirë e të pavarur. Një akt historik që kurorëzoi përpjekjet dhe sakrificën e brezave që luftuan për lirinë e atdheut”.

“Sot, flamuri me shqiponjën dykrenare valëvitet me krenari kudo ku jetojnë shqiptarët. Ai na bashkon përtej kufijve shtetërorë dhe na kujton rrënjët, gjuhën, historinë dhe identitetin që na lidh përgjithmonë”, thekson presidentja e Kosovës.

Shiroka-Pula shprehet se është përgjegjësi për ta ruajtur këtë trashëgimi dhe për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm. “Nderim për ata që luftuan dhe sakrifikuan. Krenari për flamurin që na bashkon. Përgjegjësi për ta ruajtur dhe përcjellë këtë trashëgimi te brezat që vijnë”, shprehet presidentja në mesazhin e urimit për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zgjodhi të kujtojë një tjetër aspekt të shpalljes së Pavarësisë, duke u ndalur te telegramet që u dërguan në qytete të ndryshme shqiptare në nëntorin e vitit 1912.

Ai thekson se pavarësia, përpara se të shfaqej përmes flamurit të ngritur në Vlorë, ishte përgatitur edhe përmes qindra mesazheve që përcillnin lajme, udhëzime dhe thirrje për bashkim.

Kurti solli në vëmendje telegramin e Ismail Qemalit të 9 nëntorit 1912, i cili njoftonte ardhjen e tij: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue.” Nëntë ditë më vonë, paria e Vlorës u dërgoi një mesazh kryetarëve të bashkive të 30 qyteteve, nga Janina në Shkodër, duke u kërkuar të bashkoheshin dhe të ruanin qetësinë: “I thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrij unë, mbani qetësiën e bashkimin.”

Kurti sjell në kujtesë  edhe vështirësitë e komunikimit në atë kohë, kur telegramet përcilleshin nga një qytet në tjetrin përmes linjave telegrafike, ndërsa në terren siguroheshin kuaj dhe karroca për të lehtësuar lëvizjen e patriotëve.

Ai solli në vëmendje edhe kërcënimet e ushtrisë serbe ndaj popullsisë shqiptare, vetëm pak ditë përpara shpalljes së Pavarësisë.

“Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale, nga ati te e bija, nga nëna te i biri, nëpër zjarre betejash të panumërta dhe në fund nga një zyrë telegrafike në tjetrën, që një ditë nëntori të shohim atë Flamur të ringrihet pas 469 vjetësh, po më 28 nëntor, mbi një godinë të Vlorës, ashtu si ishte ngritur dikur në kështjellën e Krujës së Skënderbeut”, deklaron Kurti.

Mesazhi i plotë i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti:

Sa herë që vjen kjo ditë e shënuar e 28 Nëntorit, të gjithëve na shfaqet në mendje e njëjta pamje: një flamur që shpaloset nga ballkoni i asaj shtëpie në Vlorë ku qëndronte Ismail Qemali me atdhetarë të tjerë. Por sot dua të flas për një tjetër pamje: për një varg telegramesh që do të mund të quheshin flamurtha të pavarësisë. Nga të dhënat historike tani e dimë se pavarësia e Shqipërisë, para se të shfaqej si flamur, ishte një vargan prej qindra telegramesh, që, duke lëvizur nga njëri qytet i Shqipërisë në tjetrin, thurën shpalljen e pavarësisë, ashtu sikurse gishtat e Marigonës që thurën Flamurin Kombëtar duke lëvizur gjilpërën nga një vrimë e pëlhurës në tjetrën.
Vargu i këtyre telegrameve nis më 9 nëntor 1912, me tridhjetë e dy fjalë nga Vjena: «Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue.» Dërgohej nga Ismail Qemal Vlora. Këtij telegrami, rastësisht apo jo, i mungon adresa, por ne sot e dimë se adresa ishin zemrat e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë dëshmorëve të rënë, e të gjithë atdhetarëve të gjallë e të vdekur, që kishin punuar pareshtur për këtë ditë të bekuar.
Nëntë ditë më vonë, paria e Vlorës i përcjell një telegram të radhës me rreth shtatëdhjetë fjalë te kryetarët e bashkive të tridhjetë qyteteve, nga Janina te Shkodra, nga Kosturi te Peqini: «I thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrij un, mbani qetësiën e bashkimin.» Dhe këtu nisi puna e vërtetë, sepse nën atë telegram është ruajtur edhe shënimi i zyrës telegrafike të Elbasanit. E mori në orën 10:40 dhe e përcolli në orën 12:15 për Strugën, Ohrin, Korçën, Dibrën dhe Manastirin. Po atë ditë për Tiranën, Krujën, Kavajën, Durrësin dhe Shkodrën. Për Peqinin të nesërmen, në 9:20 të mëngjesit. Këto janë orët, janë minutat dhe janë sekondat kur po niste pulsimi i zemrës së një shteti që bashkohej me rrahjet e aparatit telegrafik. Kjo ishte e gjithë infrastruktura e pavarësisë sonë: një tel prej bakri dhe disa njerëz që nuk ndaleshin së përcjelli fjalë nëpër këto shtigje të holla telash.
Ndërkohë Ismail Qemali po vazhdonte shtegtimin. Kur i lexojmë sot, shohim se telegramet e atyre ditëve nuk përmbajnë porosi me ide madhështore. Flasin, fjala vjen, për karroca e për kuaj. Bektash Cakrani i shkruan Aziz Pashës në Berat se duhen karroca për në Durrës «nga shkaku qi Viosa ka ardhë shum e nuk ka va».
Duket gati e pabesueshme, por kështu po lindte një shtet, duke kërkuar të sigurohej një karrocë, duke paralajmëruar për lumin e fryrë, duke kërkuar kuaj. Dhe asgjë nga këto nuk ndodhte në qetësi, por brambullonte brenda një rrethi prej zjarri armatash të huaja që kishin mbërthyer kufijtë e tokave shqiptare dhe po e ngushtonin unazën dita-ditës. Ja një telegram tjetër: 25 nëntor, Qukës, ora 10:25 e mëngjesit. Dërguesi është komandanti serb Simoviqi:
«Populli mysliman e i krishtênë i Ohrit e i Strugës u-dha. Ju do t’epeni apo jo? Tridhet mijë ushtarët tonë serb qi ndodhen n’Ohër, janë ngarkue me ndjekun ata qi nuk epen. Pres përgjegjë me doemos.»
Kjo është atmosfera e trazuar e atyre ditëve, vetëm tri ditë para ngritjes së Flamurit. Komandanti kriminel serb kërkonte dorëzimin, nënshtrimin e një populli, derisa para shqiptarëve po shfaqeshin rrezet e para të Lirisë.
Dikush, po ashtu, mund të mendojë se flamuri u ngrit një herë, në një vend. Por historia na dëshmon se as kjo nuk ishte kështu. Dy ditë më parë kishte lajmëruar Tirana: «sot Tirana ngriti flamurin kombëtar edhe shpalli independencën n’emën të gjithë Shqipniës». Të nesërmen e shpallën Durrësi, Kavaja, Peqini, Lushnja. Dhe pastaj vjen Njëzet e Teta: në linjën telegrafike midis Vlorës e Elbasanit, Lef Nosi shkruan katër fjalë: «Ngrini-e sa mâ shpejt.» Elbasani përgjigjet me tri: «Ndashti po e ngremë.» Atë pasdite, në orën katër, në shtëpinë e Xhemil Beut, dyzet burra që kishin ardhur me kalë, me vapor e në këmbë nga Berati, Dibra, Ohri, Gjirokastra, Peja, Gjakova dhe Durrësi, vendosën «me një zâ» që Shqipëria «me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme». Po atë ditë, Luigj Gurakuqi shkroi një telegram prej rreth shtatëdhjetë fjalësh dhe ia dërgoi pesëmbëdhjetë gazetave të Evropës — Corriere della Sera, Le Temps, The Times, Neue Freie Presse etj.: «Assemblea Kombëtare… shpalli Independencën e Shqipniës.»
Ne jemi mësuar ta kujtojmë atë ditë si vepër grash e burrash të mëdhenj. Dhe ajo, pa dyshim, ishte e tillë. Por kur i lexon dokumentet një nga një, sheh edhe diçka tjetër: sheh një telegrafist në Fier që numëron tetëmbëdhjetë fjalë për të thënë se Ismail Qemali mbërriti shëndoshë e mirë, sheh kryeplakun e një lagjeje në Ohër që nënshkruan në emër të të gjitha lagjeve, sheh njerëz që paguanin për çdo fjalë, e që prapë i shpenzonin për t’i thënë po pavarësisë.
Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale, nga ati te e bija, nga nëna te i biri, nëpër zjarre betejash të panumërta dhe në fund nga një zyrë telegrafike në tjetrën, që një ditë nëntori të shohim atë Flamur të ringrihet pas 469 vjetësh, po më 28 nëntor, mbi një godinë të Vlorës, ashtu si ishte ngritur dikur në kështjellën e Krujës së Skënderbeut.
Previous ArticleLajme nga VendiPolitikë 114-vjetori i Pavarësisë, krerë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë
Next Article Kasami uron 28 Nëntorin: Na bashkoftë gjithmonë dashuria për gjuhën, flamurin dhe kombin, pavarësisht kufijve

Lajme të ngjashme

Tregtia Kosovë–Shqipëri kalon 407 milionë euro, çfarë po eksporton më shumë Kosova

28 Nëntor 2026 KOSOVË

Lajme nga VendiPolitikë 114-vjetori i Pavarësisë, krerë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë

28 Nëntor 2026 KOSOVË

Kurti: Qendra për dronë në Podujevë pritet të funksionalizohet në vitin 2027

26 Nëntor 2026 KOSOVË

Maqedonci: Bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri, i rëndësishëm për sigurinë e përbashkët

26 Nëntor 2026 KOSOVË

Kuvendi i Kosovës ndan mbi 61 mijë euro për Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt

26 Nëntor 2026 KOSOVË

Presidentja Shiroka Pula përfaqëson Kosovën në Samitin e liderëve të rajonit Brdo-Brijuni në Ohër

26 Nëntor 2026 KOSOVË
Lajmet e fundit

Tregtia Kosovë–Shqipëri kalon 407 milionë euro, çfarë po eksporton më shumë Kosova

Press Online28 Nëntor 2026 KOSOVË

Marrëdhëniet ekonomike e tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht trendeve pozitive në…

Kasami uron 28 Nëntorin: Na bashkoftë gjithmonë dashuria për gjuhën, flamurin dhe kombin, pavarësisht kufijve

Press Online28 Nëntor 2026 MAQEDONI

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka uruar shqiptarët kudo që jetojnë për…

Shiroka-Pula dhe Kurti urim për 28 Nëntorin: Flamuri na bashkon përtej kufijve shtetërorë

Press Online28 Nëntor 2026 KOSOVË

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula dhe kryeministri Albin Kurti kanë përcjellë urimet…

Lajme nga VendiPolitikë 114-vjetori i Pavarësisë, krerë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë

Press Online28 Nëntor 2026 KOSOVË

Në qytetin e Vlorës, pranë monumentit të Pavarësisë, u zhvillua sot ceremonia…

Çfarë ranë dakord liderët e Ballkanit në samitin “Bërdo-Brioni” Ohër?

Press Online28 Nëntor 2026 MAQEDONI

Integrimi i plotë dhe në kohë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian…

© 2018 - 2026 PressOnline.al
  • IMPRESUM
  • MARKETING
  • KONTAKT

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.