Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, ndërsa reagimi i tij ka nxitur një përplasje publike me ish-ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Arben Cejku, informon PressOnline.al
Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ahmeti ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës në Shqipëri, duke bërë thirrje për dialog dhe përgjegjësi institucionale.
“Me shqetësim të thellë po i përcjell zhvillimet e fundit në Shqipëri. Në këtë moment delikat, kur situata ka mbërritur në një pikë që kërkon vëmendje dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme, politika shqiptare duhet të dëshmojë maturi, urtësi dhe vetëdije të lartë për interesin e përbashkët”, shkruan Ahmeti.
Sipas tij, tejkalimi i interesave partiake është kusht për zgjidhjen e krizës.
“Sot, më shumë se kurrë, është koha që të tejkalohen interesat e ngushta partiake dhe çdo konsideratë tjetër që mund të pengojë gjetjen e zgjidhjeve, në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në reagim.
Ahmeti thekson se Shqipëria nuk është pronë e askujt dhe se humbja e saj është humbje për të gjithë. Ai u drejtohet drejtpërdrejtë dy palëve të përfshira në konflikt.
Për protestuesit, Ahmeti kërkon ruajtjen e dinjitetit të protestës:
“U bëj thirrje studentëve dhe të gjithë protestuesve që t’i shprehin me dinjitet kërkesat e tyre dhe të mos lejojnë që tensionet dhe përplasjet t’ua zbehin mesazhin. Shkatërrimi nuk është zgjidhje, pas çdo biznesi qëndrojnë puna, mundi dhe sakrifica e njerëzve”.
Për institucionet e shtetit, ai kërkon profesionalizëm dhe paanshmëri:
“Uniforma e policisë duhet të jetë simbol i ligjit, profesionalizmit dhe shërbimit ndaj qytetarëve, ndërsa institucionet duhet të veprojnë me paanshmëri, maturi dhe respekt të plotë për të drejtat themelore”.
Gjithashtu, Ahmeti e lidh krizën me aspiratën evropiane të Shqipërisë.
“Asnjë formë dhune, nga cilado palë, nuk mund të jetë përgjigje ndaj krizës. Shqipëria, si një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të dëshmojë në praktikë respekt për demokracinë, sundimin e ligjit, institucionet dhe të drejtat e qytetarëve”, përfundon ai.
Postimi i Ahmetit ka marrë komente të shumta, por ai që ka tërhequr vëmendjen më të madhe është komenti i Arben Çejkut, ish-ambasador i Shqipërisë në Shkup dhe diplomat karriere.
Në një ton të drejtpërdrejtë, Cejku i kërkon Ahmetit të distancohet nga kryeministri Edi Rama.
“Zoti Ahmeti, të këshilloj si mik të mos vazhdoni të mbështesni një autokrat që po përgjak popullin e tij për karrigen e vet dhe interesat personale, sepse kjo është një njollë që do ju mbetet gjatë”, shkruan Cejku.
Ai vazhdon më tej:
“Mbajeni përgjegjësinë për ato që përfaqësoni dhe kërkojini mikut tuaj Rama, ti thirrë mendjes e ndërgjegjes (nëse i ka mbetur ndonjë) dhe të kuptojë se ka hyrë në rrugë pa krye”.
Cejku e përmbyll komentin me një referencë ndaj marrëdhënieve të Ahmetit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
“Ju kujtoj se e morët ‘Çelësin e Tiranës’ nga lali Eri, por ti humbe zgjedhjet dhe ai shkoi në burg. Ta duash mëmëdheun, duhet të jesh realisht i paanshëm, sidomos në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria”.
Zhvillimet në Shqipëri vijnë në ditën e gjashtë të protestave studentore dhe qytetare, të cilat kanë nisur në Tiranë dhe janë shtrirë në disa qytete të vendit.(PressOnline.al)


