Banorët e Komunës së Bërvenicës sot u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës në zgjedhjet e parakohshme lokale. Vendvotimet janë hapur në orën 07:00, ndërsa procesi i votimit do të zgjasë deri në orën 19:00. Sipas të dhënave të Listës Zgjedhore, të drejtë vote kanë gjithsej 16.256 qytetarë nga dhjetë vendbanimet e komunës. Prej tyre, 449 janë të regjistruar si persona me qëndrim të përkohshëm për punë jashtë vendit, ndërsa nëntë votues ndodhen në burg ose në paraburgim.
Pas mbylljes së vendvotimeve do të nisë numërimi dhe përmbledhja e votave, ndërsa rezultatet paraprake do të publikohen në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do t’i publikojë në mënyrë të njëpasnjëshme rezultatet paraprake të pranuara përmes sistemit elektronik. Ndërkohë, rezultatet e bazuara në procesverbalet e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve duhet të publikohen brenda 12 orëve nga përfundimi i votimit.
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve ka afat prej shtatë orësh pas mbylljes së vendvotimeve për të shpallur rezultatet paraprake në bazë të të dhënave të dorëzuara nga këshillat zgjedhorë. Ato do të publikohen edhe në tabelën e shpalljeve të komunës dhe do t’u komunikohen mediave.
Sipas rregullave zgjedhore, që një kandidat të zgjidhet kryetar komune në raundin e parë, duhet të fitojë shumicën e votave të qytetarëve që kanë votuar, me kusht që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë së paku një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Në rast se nuk përmbushet kushti ligjor për pjesëmarrjen, procedura zgjedhore përsëritet. Rezultatet përfundimtare do të përcaktohen dhe shpallen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në përputhje me afatet e parashikuara me ligj.


