Agjenda evropiane e Kosovës, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së kanë qenë në fokus të takimit mes zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe ambasadorit të ri të BE-së në Kosovë, Dirk Schubel.
Konjufca e ka pritur Schubelin në një takim njoftues, me rastin e fillimit të mandatit të tij në Kosovë, duke i uruar sukses në detyrën e re.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë takimit Konjufca ka theksuar rëndësinë e një angazhimi të drejtpërdrejtë dhe substancial ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ai ka vlerësuar se progresi i arritur nga Kosova duhet të përkthehet në hapa konkretë drejt integrimit evropian.
Në takim është diskutuar gjithashtu për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në procesin e integrimit të vendit në strukturat evropiane.


